May 8, 2024
Rajon - Botë

Ushtria izraelite dëboi me forcë të zhvendosurit dhe pacientët nga spitali Al-Shifa

Të paktën 26 palestinezë u vranë në një seri sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës. Avionët luftarakë goditën ndërtesat e banimit në Hamad, në veriperëndim të Khan Younisit në jug të Rripit të Gazës, duke vrarë 26 persona, duke përfshirë disa fëmijë dhe duke plagosur dhjetëra. Disa njerëz u vranë dhe u plagosën gjithashtu në sulmet e reja ajrore në kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore, tha Wafa.

Një sulm tjetër izraelit ka shënjestruar një shtëpi në lindje të Rafahs në jug të Rripit të Gazës, ndërsa raportohet për viktima. Ushtria e Izraelit ka dëbuar me forcë të gjithë palestinezët e zhvendosur dhe shumicën e pacientëve nga spitali Al-Shifa në Rripin e Gazës, i cili është nën sulm dhe i rrethuar nga forcat izraelite.

Drejtori i Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bersh, tha se nga 650 pacientë në spital, vetëm rreth 100-120 persona kanë mbetur dhe se kanë nevojë për koordinim me Kombet e Bashkuara (OKB) për evakuimin e tyre.

Cisterna e parë me karburante ka hyrë në Gaza pasi që Izraeli, nën presionin e SHBA-ve, lejoi dy kamionë në ditë të hynin në territoret palestineze. “Këtë vendim e kemi marrë pasi dëshirojmë të parandalojmë përhapjen e epidemisë”, tha këshilltari për sigurinë kombëtare izraelite.

Izraeli u ka kërkuar palestinezëve që për arsye sigurie të largohen nga veri i Gazës, por sulmet ajrore vdekjeprurëse vazhdojnë të godasin zonat qendrore dhe jugore të këtij territori të ngushtë bregdetar.

Që kur Izraeli filloi bombardimin e Gazës më 7 tetor, më shumë se 12.000 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë mbi 8.300 gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 30.000 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu nga sulmet intensive ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.