Ushtarët turq kanë mbërritur në Kosovë, vendosen në Kazermën “Sulltan Murat”
Ushtarët turq në kuadër të NATO-s filluan të mbërrijnë në Kosovë si pjesë e përforcimeve të misionit të KFOR-it pas trazirave dhe protestave të dhunshme që ndodhën ditëve të fundit, transmeton Anadolu.
Ushtarët turq kanë mbërritur dhe janë vendosur në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë, afër Prishtinës, dhe do të qëndrojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Përforcimet e NATO-s filluan të mbërrijnë në Kosovë të hënën, 5 qershor 2023, pas dhunës së paprovokuar dhe të papranueshme ku u plagosën pothuajse 40 trupa paqeruajtës të KFOR-it në përleshjet javën e kaluar. Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga brigada e 65-të e mekanizuar e këmbësorisë së Türkiyes do të përbëjnë pjesën kryesore të përforcimeve të NATO-s. Batalioni turk do të vendoset në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s është vënë gjithashtu në gatishmëri më të lartë për t’u vendosur, nëse është e nevojshme”, thuhet në një deklaratë të NATO-s.
Shefi i NATO-s ,Jens Stoltenberg, dje shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Türkiye në dërgimin e përforcimeve në Kosovë gjatë një takimi me presidentin Recep Tayyip Erdogan në Istanbul.
“Türkiye është një aleate e rëndësishme dhe shumë e vlerësuar, duke dhënë kontribute kyçe në NATO. Këtu përfshihen trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, gjë që është edhe më e rëndësishme tani, kur tensionet janë të larta. Falenderoj Türkiyen për dërgimin e përforcimeve në veri të Kosovës, pas trazirave të fundit”, tha Stoltenberg.
Përpos kësaj, në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të NATO-s javën e kaluar në Oslo të Norvegjisë, Stoltenberg u shpreh: “Mesazhi ynë për Beogradin dhe Prishtinën është se ata duhet të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes. Në të njëjtën kohë, NATO ka përgjegjësi për të siguruar stabilitet në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë atje për shumë vite dhe pse tani po rrisim praninë tonë në rajon”.
NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërtuar stabilitet në rajon.
Misioni i KFOR-it është të mbajë një mjedis të sigurt dhe të mirëmbajë lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4.200 trupa nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s.