Etem Xheladini
(kryetar i nderit të SHASH-it ”Naim Frashëri”, Kumanovë-Likovë)
Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është kënaqësi dhe nder i veçantë t’u drejtohem të gjithë mësimdhënësve, punëtorëve të arsimit, nxënësve e studentëve, intelektualëve, si dhe mbarë dashamirëve të arsimit dhe të gjuhës sonë amtare, për t’ua uruar këtë festë të madhe kombëtare, që shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë arsimore, kulturore dhe kombëtare.
22 Nëntori, Kongresi i Manastirit i vitit 1908, nuk është thjesht një datë kalendarike. Është një gurthemel i identitetit tonë kombëtar, një moment i artë kur mendjet më të ndritura shqiptare, të ardhura nga të gjitha trojet, u bashkuan me një qëllim të shenjtë: të vendosnin bazën e përbashkët të shkrimit të gjuhës shqipe. Ishin atdhetarë, dijetarë, mësues e rilindas të cilët, me vizionin e tyre dhe me dashurinë për kombin, përfundimisht miratuan alfabetin e gjuhës shqipe, alfabetin tonë latin, simbol të përparimit, qytetarisë dhe integrimit.
Sot, 117 vjet pas këtij vendimi epokal, ne përulemi me mirënjohje para atyre burrave të shquar që, përtej dallimeve dhe sfidave të kohës, vendosën të shkruajnë historinë e gjuhës sonë. Ata ndriçuan rrugën e arsimit, i dhanë fuqi fjalës shqipe dhe ngritën bazën mbi të cilën sot ndërtohet kultura dhe identiteti ynë kombëtar.
Le të jetë kjo ditë një kujtesë e përhershme se gjuha shqipe është pasuria jonë më e çmuar, ura që na lidh me të kaluarën, me njëri, tjetrin dhe me të ardhmen.
T’i nderojmë rilindasit tanë duke mbajtur gjallë gjuhën standarde, duke e zhvilluar, duke e pasuruar dhe duke e përdorur me krenari në jetën e përditshme, në arsimin tonë, në institucionet tona dhe në hapësirat kulturore e shkencore. Në këtë ditë të shënuar, i falënderojmë me respekt të thellë të gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve arsimore, që me përkushtim dhe përgjegjësi kultivojnë te brezat e rinj dashurinë për gjuhën shqipe. Përshëndesim nxënësit dhe studentët që e mbajnë gjallë frymën e dijes dhe të përparimit.
Festa e Alfabetit është edhe festa e atyre që e ruajnë, e mësojnë dhe e bartin shqipen me krenari. Qoftë kjo ditë një frymëzim për unitet, dritë dhe përparim. Gjuha shqipe është vlera jonë e përjetshme, le ta nderojmë si të tillë!

