MPB shpalli urdhër ndërkombëtar për arrestimin e 18-vjeçarit që më 9 janar, me automjetin “Volkswagen Passat” përplasi një grua në Kapishtec, u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arratis nga Maqedonia e Veriut, përcjell TV21. Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për Sait Saitov nga Shkupi.

“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) shpalli urdhër-arrest ndërkombëtar për Sait Saitov (18) nga Shkupi, i biri i Bertit dhe i nënës Ganimete nga Shkupi. Personi kërkohet me urdhër qendror dhe ndërkombëtar, sipas kërkesës së Prokurorisë Publike të Shkupit, për vepër penale sipas nenit 300 të Kodit Penal”, njofton MPB.

Më 10 janar, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit nxori urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër 18-vjeçarit, ndërsa edhe dy persona të tjerë janë të dyshuar dyshuar se i kanë ndihmuar në arratisje, pas kryerjes së veprës penale.

Sait Saitov drejtonte automjetin pa patentë shoferi. Me automjetin ai goditi Ljuba Jakovleskën, e cila po kalonte rrugën si këmbësore. Nga përplasja dhe rënia në rrugë, gruaja pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa i dyshuari pa i dhënë ndihmë menjëherë e la vendin e ngjarjes. Viktima u dërgua në Qendrën Urgjente, ku pavarësisht ndihmës mjekësore, ndërroi jetë.

Dy persona të tjerët, një mashkull dhe një femër, i ndihmuan Saitovit të largohej nga vendi, duke e transportuar me automjetin e tyre përmes pikës kufitare “Tabanoc”. Ata janë arrestuar pas kthimit në vend dhe prokurori publik ka dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Masa e paraburgimit kërkohet edhe për 18-vjeçarin e arratisur. Në rrjetet sociale, 18-vjeçari kishte publikuar shpesh video duke vozitur me shpejtësi të lartë.

sqShqip