Maqedoni

Universiteti i Tetovës dekoron Xhaferin me çmimin më të lartë që ndan ky institucion

Me arsyetimin se ka qenë ish ushtarak i Armatës Popullore Jugosllave e njohur si JNA e më pas edhe në UÇK, zv.ministër e ministër i mbrojtjes, kryetar i Kuvendit dhe tani kryeministër teknik, Universiteti i Tetovës, dekoron Talat Xhaferin me çmimin më të lartë që ndan ky institucion, titullin Fadil Sulejmani.

“Nga viti 1985 ai punoi në Armatën Popullore të Jugosllavisë pastaj në Armatën Popullore të Maqedonisë. Në vitin 2001 ju bashkëngjit UÇK-së. Në politikë ushtroi disa funksione, ishte deputet, zëvendës ministër i mbrojtjes, ministër i mbrojtjes, kryetar i parlamentit dhe tani kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Si kryeministër ka premtuar se do jetë politikan i ndërgjegjshëm transparent dhe llogaridhënës për veprimet e tij dhe do përfaqësoj gjithë qytetarët pa dallim etninë dhe partinë”, tha Vullnet Ameti, Kryetar i Senatit të UT.

Por a e meriton Talat Xhaferi këtë çmim nga Universiteti i Tetovës? Kësaj pyetje refuzoi t’i përgjigjej vet ai.

Por këtë veprim të Universitetit profesorët e cilësojnë si skandaloz. Nuk mundet që një politikan t’i jepet ky titull edhe atë në ditën e mësuesit, thonë profesorët. Bashkim Ziberi thotë se politika e përvetësoi të vetmen ditë të arsimit shqip.

“Më vjen keq që çmimi i madh Fadil Sulejmani realisht është i pari që ndan UT në ditën e shtatë marsit, dhe vetë data shtatë marsi, institucioni dhe personi që simbolizon ky lloj çmimi, duhej të kishte të bëj vetëm me çështjen e arsimit dhe shkencës e më shumë me arsimin universitar sepse profesori ka ndikuar në zhvillimin e arsimit në këto rrethana. Ngjarja e sodit për mendimin tim nuk është asgjë tjetër përveç politizim. Neve me veprimin e sotëm na u mor edhe kjo ditë dhe u politizua edhe kjo ditë dhe në një farë forme do ishte një ditë e unifikimit ditë e reflektimit të gjithë neve për rolin e rëndësishëm që ka arsimi për zhvillimin shoqëror në përgjithësi në trojet tona”, deklaroi Bashkim Ziberi Prof. i UT-së.

Derisa universitet e tjera japin çmime për arritje në fushën e shkencës UT-ja mbetet Universiteti i vetëm që i jep tituj politikanëve. Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2020 po ky Universitet titullin honorisa causa ia dha kreut të BDI-së Ali Ahmetit. /Alsat.mk