May 21, 2024
Maqedoni

Politikanët urojnë 7 Marsin, ditën e mësuesit

Kryetar të partive politike shqiptare në vend kanë uruar 7-marsin ditën e mësuesit. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në urimin e tij bëri thirrje që ti kujtojnë për çdo ditë të gjithë ata misionarë të arsimit në gjuhën tonë amtare që mbajtën të pashuar flakadanin e dijes dhe me këtë, siç tha ai, ruajtën indin kombëtar nga kthetrat e asimilimit.

ALI AHMETI, KRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Në kauzën tonë mbarëkombëtare roli i pishtarëve të arsimit ka qenë dhe mbetet jetik për përjetësinë e kombit dhe mbjelljen e atdhedashurisë tek brezat e rinj që nuk duhet të harrojnë të kaluarën e lavdishme dhe me dije duhet të vazhdojnë të prijnë kauzat e reja kombëtare. Duke kujtuar 137 vjetorin e hapjes së Mësonjëtores së parë në Korçë, le të reflektojmë sot mbi peshën e madhe të shkollave shqipe të përhapura gjithandej vendit”.

Ata janë pishtarët e civilizimit, ngritjes dhe zhvillimit të kombit. Kështu thuhet në urimin e Ziadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët.

ZIADIN SELA,KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

“Ata janë pishtarët e civilizimit, ngritjes dhe zhvillimit të kombit. Janë ata që na japin mësimet e para, që na ndriçojnë të ardhmen dhe e trasojnë rrugëtimin tonë jetësor. Janë më të dashurit, kujtimi më i bukur i jetës, heronjtë e parë për të gjithë ne.Të dashura mësuese e mësues, falemnderit për çdo mund tuajin, për ne dhe për gjeneratat e reja”.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, ka zgjedhur të postojë një fotografi me mësuesin e tij dhe ka shfrytzuar rastin tua urojë 7-marsin të gjithë pishtarëve të arsimit.

AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS

“Secila rrugë e arsimimit, sado e gjatë qoftë, fillon me hapin e parë. Ndërsa hapi im i parë drejt shtigjeve të dijes mbetet i pandashëm me emrin e mësueses Drandofile Kaliqi. Ajo është mësuesja ime e parë dhe asaj i detyrohem gjithmonë. Duke e postuar një fotografi me të, të realizuar më 2017, dëshiroj që Mësueses sime t’i dëshiroj shëndet, ndërsa përmes përmes saj t’ua uroj Ditën e Mësuesit të gjithë pishtarëve të arsimit shqip”.
Edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, urimin e ka përcjellë me fotografi, por ai ka zgjedhur të postojë Mësënjtoren e Korçës.

IZET MEXHITI,KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE

“Mësimdhënia është akti më i madh i optimizmit. Urime 7 Marsi”.

Ndërkaq, urime për 7 marsin-ditën e mësusit, kanë dërguar edhe kryetar të partive shqiptare të rajonit, sikurse ata të Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë.