May 8, 2024
Rajon - Botë

Ukrina i hakmerret Kadirovit duke njohur pavarësinë e Çeçenisë

Parlamenti ukrainas miratoi sot një rezolutë që përcakton Republikën Çeçene-Ichkeria si territor rus të pushtuar përkohësisht, për të cilin thotë se u krijua si rezultat i agresionit në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Për rezolutën votuan 290 deputetë të Radës (Parlamentit) ukrainase, nga gjithsej 352 deputetë të pranishëm.

Parlamenti i Ukrainës poashtu ka dënuar krimet e luftës të kryera nga Rusia në luftën me Çeçeninë dhe “të gjitha krimet e kryera nga shekulli i 19-të deri në ditët e sotme”.

Republika Çeçene-Ichkeria ishte një shtet de fakto i pavarur nga viti 1991 deri në 1999, i krijuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe u mposht ushtarakisht nga ushtria ruse në vitin 1999. Pastaj u përfshi në Federatën Ruse si Republika e Çeçenisë.

Lideri aktual i Çeçenisë është Ramzan Kadyrov, i cili mbështet politikat luftarake të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.

Ndërkohë Një komision i Kombeve të Bashkuara zbuloi se forcat ruse ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të shkeljeve të të drejtave të njeriut në javët e para të luftës.

Sipas një raporti të publikuar të martën, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit për Ukrainën zbuloi se forcat ruse kishin shënjestruar pa dallim zonat që po përpiqeshin të kapnin dhe sulmuan civilët që përpiqeshin të iknin.

Ai gjeti gjithashtu abuzime të kryera nga Ukraina, duke përfshirë dy raste të njerëzve që ishin jashtë veprimit, të cilët u qëlluan, u plagosën ose u torturuan.