Maqedoni

Ukrainë, “Legjioni i të huajve”: Nuk i duam kosovarët

“Legjioni i të Huajve” në Ukrainë ka njoftuar se nuk do të pranojnë vullnetarë nga Kosova, Siria e Afganistani, për mbrojtjen e këtij shteti që tash e një muaj është në luftë me Rusinë.

Vladyslav Kovalchukm, një ndër rekrutuesit e vullnetarëve në “Legjionin e të Huajve”, ka thënë se vullnetarët duhet të kenë përvojë të dëshmuar ushtarake dhe nëse nuk e kanë atë, atëherë nuk pranohen. Por që, sipas tij, nuk do të pranohen as vullnetarë nga Kosova, Siria e Afganistani.

“Unë shpjegoj se si të shkosh në vend të sigurt përmes Telegramit, Facebook-ut ose emailit. Dhe unë u them atyre se me kë duhet të kontaktojnë kur të shkelin në tokën ukrainase… Ne gjithashtu nuk pranojmë persona nga tre vende të ndaluara, Siria, Afganistani dhe Kosova, apo persona me procedura kriminale”, tha ai në një bisedë telefonike nga Kievi.

Ai siguron se vetë ka ndihmuar 25 pjesëtarë të brigadës nga Franca, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kaluar kufirin polak.

Në ditët e para të pushtimit, Presidenti Zelensky iu drejtua të gjithë qytetarëve të vendeve mike të huaja që të bashkohen në mbrojtje të sigurisë në Evropë dhe në botë dhe të qëndrojnë në krah të ukrainasve, ku shumë njerëz iu përgjigjën asaj thirrjeje për ndihmë. Edhe pse ende nuk ka një shifër zyrtare se sa ushtarë e përbëjnë legjionin ndërkombëtar, disa burime thonë se ata i kalojnë 15 mijë.

Një kërkesë tjetër themelore është që komunikimi të mos jetë problem, ata thjesht refuzuan një ekip nga Brazili për shkak të pengesës gjuhësore, shkruan Larazon, përcjell Klankosova.tv

Paga e brigadistëve është caktuar rreth 600 euro në muaj. Vlladislav shpjegon se situata është aq kaotike sa askush nuk ka mundur të mbledhë ende pagesën e parë dhe siguron se qeveria do ta mbajë fjalën dhe të gjithë do të marrin atë që është rënë dakord.