May 4, 2024
Rajon - Botë

Ukraina: Rusia kreu sulme intensive me raketa dhe dronë në gjithë vendin

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se ushtria ruse kreu sulme intensive me raketa dhe mjete ajrore pa pilot (UAV) në gjithë Ukrainën, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e bërë në llogarinë e Shtabit në rrjetet sociale, thuhet se ushtria ruse ka kryer sulme intensive me raketa dhe dronë në gjithë Ukrainën mbrëmë.

“Sipas përcaktimeve të para, 28 nga 30 dronët Shahed të lëshuar nga rusët u shkatërruan. Pushtuesit në dhe rreth Zaporizhzhias përdorën shtatë raketa S-300″, thuhet më tej.

Në deklaratë theksohet se në 24 orët e fundit, forcat ruse kanë kryer 45 sulme ajrore në pozicionet dhe vendbanimet e ushtarëve ukrainas, kanë hapur zjarr mbi 70 herë nga sistemet e raketave antitank dhe kanë plagosur civilë.

Në deklaratë thuhet se rusët kanë vazhduar t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre kryesore në drejtimet e qyteteve Lyman, Bahkmut, Avdiyivka dhe Marinka dhe thuhet se në këto drejtime gjatë ditës së fundit janë zhvilluar 45 përleshje.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë bombarduar zonat ku ishin përqendruar ushtarët rusë 15 herë në 24 orët e fundit dhe njësitë e raketave dhe artilerisë ukrainase kanë shkatërruar gjithashtu tri qendra komanduese të rusëve, dhjetë zona të grumbullimit të trupave dhe pajisjeve, dy depo municionesh, një cisternë karburanti, tri mjete të mbrojtjes ajrore dhe dy mjete të mbrojtjes ajrore.

“Afro 20 dronë u shkatërruan në hapësirën ajrore të Kievit”

Shefi i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Sergey Popko, gjithashtu postoi në llogarinë e administratës në mediat sociale, duke theksuar se alarmi për sulm ajror në Kiev zgjati për më shumë se tri orë.

Duke thënë se nuk është marrë asnjë informacion për viktima apo dëme në lidhje me sulmin, Popko tha: “Dronët hynë në kryeqytet nga drejtime të ndryshme. Alarmi për sulm ajror zgjati për më shumë se tri orë. Gati 20 objektiva armike u shkatërruan në hapësirën ajrore rreth Kievit nga forcat tona të mbrojtjes ajrore”.