May 13, 2024
Rajon - Botë

Ukraina ka frikë se Rusia do ta përdorë sulmin për ta eskaluar luftën

Zyrtarët në Kiev reaguan shpejt për të përjashtuar ndonjë lidhje me sulmin me armë në Moskë, si pasojë e të cilit mbetën të vdekur të paktën 133 persona. Ministria e Jashtme, një këshilltar presidencial dhe agjencia e inteligjencës ushtarake thonë kategorikisht se Ukraina nuk ishte e përfshirë – dhe se lufta e saj me Rusinë është në fushën e betejës.

Shërbimi rus i sigurisë FSB ka thënë se sulmuesit e Moskës u kapën gjatë rrugës për në Ukrainë dhe se ata kishin kontakte nga ana tjetër duke i mbështetur ata. Por një përfaqësues i inteligjencës në Ukrainë, e ka quajtur “absurde” idenë që personat e armatosur do të shkonin drejt kufirit ukrainas, raportoi BBC.

Andriy Yusov, një përfaqësues i inteligjencës ukrainase të mbrojtjes, ka thënë se zona është plot me shërbime ushtarake dhe të sigurisë ruse.

“Çdo terrorist që ikën nga skena e një sulmi duhet të jetë budalla ose vetëvrasës – ose dëshiron të kapet”, ka deklaruar Yusov.

Frika në Kiev është se Rusia do të përdorë sulmin për të përshkallëzuar agresionin e saj kundër Ukrainës edhe më tej, se fajësimi i Kievit, me aleatët e tij perëndimorë, do të jetë një mënyrë për të mbledhur mbështetjen për presidentin Vladimir Putin dhe pushtimin e tij në shkallë të plotë – dhe për të mobilizuar më shumë ushtarët rusë, për atë luftë.