Lufta në Ukrainë/ Kreu i OKB: Çdo dëm në uzinën bërthamore në Zaporizhia është vetëvrasje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres thotë se është i shqetësuar për luftimet që po zhvillohen pranë uzinës bërthamore në Zaporizhia, në Jug të Ukrainës.

Këto komente ai i bëri gjatë një samiti të përbashkët me Presidentin ukrainas Zelensky dhe Presidentin e Turqisë Erdogan.

“Çdo dëm i mundshëm në Zaporizhia është vetëvrasje”, është shprehur ai.

Edhe Presidenti turk shprehu shqetësimin për luftimet pranë centralit bërthamor të Zaporizhia, duke e krahasuar me rrezikun e Çernobilit në vitin 1986.

Ditët e fundit, pranë centralit bërthamor në Zaporizhia po zhvillohen luftime të ashpra nën zjarrin e artilerisë. Si forcat ukrainase, ashtu dhe ato ruse, fajësojnë njëra-tjetrën për këto sulme.

Moska akuzohet se e ka kthyer objektin në bazë ushtarake. Ndërsa liderët europianë, por edhe Zelensky, Guterres e Erdogan i bëjnë thirrje Rusisë që të çmilitarizojë zonën sa më shpejt që të jetë e mundur. /tvklan.al