Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka realizuar një takim të frytshëm dhe miqësor me Milaim Ziberi, kryetar i Lidhjes së Bashkuar të Diasporës Kërçovare.
Gjatë takimit është diskutuar hapur për rolin e pazëvendësueshëm që mërgata shqiptare ka në zhvillimin politik, ekonomik dhe kulturor të vendit, si dhe për mënyrat konkrete se si potenciali i saj mund të shndërrohet në projekte të realizueshme dhe investime strategjike në dobi të qytetarëve.
Qoku theksoi se diaspora ndër vite ka dëshmuar përkushtim, organizim dhe lidhje të fortë me vendlindjen, duke u shndërruar në një nga shtyllat më të fuqishme të zhvillimit kombëtar. Sipas tij, ajo mbetet një partner i domosdoshëm në çdo proces të rëndësishëm vendimmarrës.
“Si deputet dhe koordinator i grupit parlamentar të VLEN, mbetem i përkushtuar për krijimin e mekanizmave më efikas që garantojnë përfshirjen e diasporës në proceset zhvillimore dhe që zëri i saj të dëgjohet e të përfaqësohet denjësisht në çdo nivel”, ka theksuar Qoku

