Dy nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike në Tetovë, 15 dhe 17 vjeçar, kanë përfunduar me lëndime trupore pas rrahjes nga siç thonë nxënësit, pjesëtarë të tifo grupit “Vojvodët”.
Ata thonë se u sulmuan nga mbi 20 persona kur po ktheheshin nga pushimi mes orëve. Njëri nga nxënësit thotë se sulmuesit fillimisht kanë filluar t’i shajnë dhe më pas edhe t’i godasin duke përdorur edhe mjete të forta.
“Ishim tek barakat e ekonomisë. Fillimisht filluan të na shajnë në gjuhën maqedonase. Nuk ishin të moshës tonë më të mëdhenj ishin. S`jemi rehat të shkojmë në shkollë se jemi frikësuar pas ndodhisë së mbrëmshme”, tha njëri nga viktimat.
Abil Ismaili, prindi i njërit nga nxënësit thotë se sulmuesit kanë përdorur gjësende të forta.
“Fëmija im ka lëndime në fytyrë, në hundë, në anën e majtë të kraharorit, brinjët i ka të dëmtuar, po ashtu edhe nga shpina ka dëmtime, është edhe i gërvishtur. Nuk është i rrahur vetëm me shqelma dhe grushte por edhe me diçka tjetër. Kanë përdorur sende të forta sepse ka nishane edhe në ballë”, u shpreh Abil Ismaili, Prindi i nxënësit të rrahur.
Për lëndimet që morën dy nxënësit tregon edhe mjeku Valdrin Asani i cili mbrëmë i pranoi në Klinikë.
“Dy pacientë njëri 15 dhe tjetri 17 vjeç u pranuan në repartin tonë me lëndime trupore. Njëri kishte frakturë të eshtrave të hundës pa dislokim me raport të rentgenologut me çka u vërtetua lëndimi që ka, kurse tjetri kishte plasaritje të eshtrave të hundës. Është bërë imobilizimi i eshtrave të hundës u dha trajtim mjekësor dhe janë liruar për trajtim të mëtutjeshëm shtëpiak”, u shpreh Valdrin Asani, mjek.
Prindi i fëmijës së rrahur kërkon nga organet që ta zbardhin rastin sa më shpejtë dhe fëmijëve t’i garantohet siguria në shkollë.
“Kjo është shumë shqetësuese si prind, sidomos për një fëmijë që sapo ka filluar të shkojë në shkollë të mesme është shumë shqetësuese. Organet e rendit ta zbardhin sa më parë këtë rast, që mos vjen puna që ta zbardhin prindërit që edhe në të shkojmë të ruajmë fëmijë te shkolla. Patjetër dikush të jep përgjegjësi për këtë që u ka ndodhur fëmijëve tanë dhe autorët të dalin para drejtësisë sepse bëhet fjalë për një rast që ka ndodhur në Tetovë”, theksoi Abil Ismaili, prindi i nxënësit të rrahur.
“Rasti ka ndodhur në këtë vend, këtu tek hyrja e Shkollës së mesme ekonomike “8 Shtatori”, ndërsa interesantë është fakti se, vetëm pesë metra më poshtë hyrjes, ndodhet edhe një pjesë e Sektorit të Punëve të brendshme të Tetovë3s, të cilët nuk kanë arritur ta prevenojnë këtë ngjarje”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Burime brenda policisë njoftojnë se deri në këto momente, janë identifikuar 19 persona që kanë marrë pjesë në rrahjen e dy nxënësve, 5 nga të cilët tashmë janë arrestuar dhe janë në stacion policor, ndërsa po kërkohen edhe personat tjerë të përfshirë. Shumica prej tyre janë të mitur dhe me ta po bisedohet në stacion në prezencë të prindërve dhe punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale./ Alsat.mk