May 6, 2024
Maqedoni

U mbajt Kuvendi i rregullt vjetor i El Hilalit

 

Në ambientet e Hotelit Bushi në Shkup, sot u mbajt Kuvendi i rregullt vjetor i Organizatës Humanitare El Hilal, ku u shqyrtuan dhe u miratuan raportet për punën e organizatës për vitin 2020 si dhe programi i veprimit për 2021-shin.
Në prani të kuvendarëve dhe disa kryetarëve të degëve si dhe të anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës, kuvendin e hapi dhe me të udhëhoqi kryesuesi, Etem Xheladini. Ai, në fillim propozoi që për tre anëtarët e kuvendit të cilët ndërmjet dy mbledhjeve humbën jetën si pasojë e pandemisë, të bëhet një lutje me leximin e pjesëve nga Kurani famëlartë.
Lutjen e bëri Ali Sadiku, sekretar i El Hilalit duke u lutur që Zoti t’i mëshirojë shpirtrat e të ndjerëve, Shinasi Karaxhenemit, Iljaz Mazllamit dhe Nasir Selimit. Më pastaj, me propozim të degëve të Tetovës dhe të Gostivarit, prej nga vinin ata, u bë kooptim në përbërjen e Kuvendit duke zgjedhur anëtarë të rinj. Edhe kryetari i organizatës, Behixhudin Shehapi, në fjalimin e vet foli mbi personalitetet e tyre, përkushtimin dhe kontributin humanitar që ata i bënë të jenë të pazëvendësueshëm.
Më tej, ai theksoi se përkundër pandemisë, El Hilali nuk pushoi së punuari. Gjallëria ka qenë prezente në realizimin e të gjitha aktiviteteve programore dhe se janë anuluar vetëm dy projekte tradicionale për shkak të kufizimeve të parapara me masat për mbrojtje nga pandemia. Bëhet fjalë për synetimin dhe ekskursionin e fëmijëve.
Në raportin e parashtruar nga kryetari, u theksua se gjashtë projekte të tjera me sukses u realizuan. Kështu, ndihma arritën në mbi 3000 familje, si dhe u realizuan shumë aktivitete me studentë, nxënës dhe grupe tjera synuese.
Në fund, ai edhe një herë vuri në dukje se El Hilali dëshmoi se është një organizatë serioze, vitale dhe e dashur për vullnetarët e dëshmuar, të cilët krahas angazhimeve të tyre profesionale, humanitetin e kanë mision që nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër.
Kuvendarët e miratuan raportin narrativ për punën në 2020-tën të cilin e lexoi Ali Sadiku dhe raportin financiar, të cilin para tyre e elaboroi Nuri Rexhepi, kryetari i Këshillit mbikëqyrës. Gjithashtu, të pranishmit e miratuan programin për punë të El Hilalit për vitin 2021, që është vit jubilar, pra 30-vjetori i themelimit të organizatës. Programin e prezantoi nënkryetari, Talat Sadiku.
Në fund, me mirënjohje u nderua dr. Ilir Demiri, anëtar i kuvendit, i cili si infektolog në Klinikën e infektologjisë tregoi një angazhim të palodhshëm në trajtimin e pacientëve të prekur me virusin Covid 19. Ai e ka dëshmuar veten si një humanist i vërtetë. Bashkë me këtë dekoratë të merituar, dr. Ilirit iu dorëzua edhe një tablo me pamje të Ures së Vjetër të Shkupit.