May 17, 2024
Maqedoni

U harruan uniformat dygjuhëshe të policisë! Spasovski ka një vit që thotë se “është në procedurë”

Dygjuhësia në polici ende mbetet vetëm në këtë kornizë shembull se si do të dukej emblema. Realitet ende nuk është bërë! Ministri i punëve të Brendshme, Oliver Spasovki, çdo herë që pyetet për dygjuhësinë në uniforma, thotë se procedura është në vijim. Të njëjtën përgjigje për TV21 e dha edhe sot.

“Është në procedurë, kur të përfundojë, do të përfundojnë të gjitha aktivitetet. Kur duhet të përfundojnë? Shpresoj që së shpejti”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Të njëjtën përgjigje Spasovski e pat dhënë edhe para një viti.

“Në atë periudhë u ngrit procedura në lidhje me realizimin e dispozitave ligjore, ajo procedurë është para qeverisë, sapo të përfundojë, do të fillojmë me zbatim”, theksoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Ka kaluar më shumë se një vit që kur ish-Ministri i Brendshëm i qeverisë teknike, Agim Nuhiu, i dërgoi në Qeveri aktet normative për uniforma dygjuhëshe, por deri më sot asgjë nuk ka lëvizur. Disa muaj pas TV21 e pati pyetur edhe zv/kryeministrin e parë Artan Grubi, i cili thoshte se procedura duhet të përsëritet.

“Akti normativ i z.Agim Nuhiu gjersa ushtronte detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme ishte gjatë kohës së Qeverisë teknike dhe përballjes së pandemisë, do ta ripërsërisim sepse gjithsesi se duhet të respektohen ligjet, në veçanti ligji për përdorimin e gjuhëve dhe nuk shoh ndonjë rezervë nga partneri ynë i koalicionit”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër i parë (18.03.2021).

Edhe sot përmes mesazhit e pyetëm Grubin se deri ku është procedura për uniformat dygjuhëshe, por nuk morëm përgjigje.

Përndryshe, që në gusht të 2020, ish-Ministri Agim Nuhiu nënshkroi aktet normative që emblemat e policisë të jenë edhe në shqip, ndërsa për TV21 pati sqaruar se këto akte do të duhet të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë dhe më pastaj të hapen edhe procedurat e tenderimit që të munden edhe praktikisht të intervenohet në emblemë. Dygjuhësia në uniformat e policisë bazohet në dispozitat e nenit 8 të ligjit për gjuhët.