May 10, 2024
Maqedoni

U arrestuan 9 persona gjatë aksionit të sotëm, shkak rrënimi i një hoteli në Çarshinë e Shkupit

Minstria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut sot në orët e para të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion të gjerë të arrestimeve.

Nga MPB-ja kanë konfirmuar se janë duke u bërë bastisje në disa lokacione, ndër të cilat disa kompani të Shkupit që kanë qenë të përfshira në krim ekonomik.

Në terren ishin edhe forcat speciale dhe siç dihet tashmë janë arrestuar disa persona. Ministria e Brendshme konfirmon se kërkimet dhe arrestimet janë në vazhdim, ndërsa gjatë ditës do të njoftojë më shumë për qëllimin e aksionit.

Nga MPB, siç transmeton portali Lideri.mk, njoftojnë se janë arrestuar 9 persona kurse dy janë në kërkim. Shkak për arrestimin e tyre është dyshimi se kanë rrënuar një hotel të vjetër në Çarshinë e Shkupit per të shitur truallin ku ka qenë edhe pse policia vlerëson se e kanë ditur që bëhet fjalë për hotel i cili ka qenë i mbrojtur si trashëgimi kulturore. Emri i hotelit të rrënuar ka qenë “Sharr Han”.
Nga Prokuroria njoftojnë se nga bastisjet e sotme në rajonin e Shkupit, në bashkëpunim me policinë, janë arrestuar 9 persona, ndërsa 2 të tjerë janë të pakapshëm për organet e rendit, shkruan TV21. Bëhet fjalë për rastin e rrënimit të hotelit “Shar An” në Çarshinë e Shkupit. Prokuroria ka urdhëruar nisjen e procedurës hetimore për personat në fjalë, pasi të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprave penale si shoqërim kriminel, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit si dhe dëmtim ose shkatërrimi i të mirave nën mbrojtje të përkohshme, trashëgimi kulturore ose gjërave të rralla natyrore.

“I dyshuari i parë, si kryetar i Bordit të drejtorëve të një shoqërie aksionare, me qëllim arritjeve të përfitimeve pasurore në mënyrë të kundërligjshme për veten dhe anëtarët e tjerë të grupit, nuk i ka kryer autorizimet e tij zyrtare të përcaktuara në Statutin e Shoqërisë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në Buxhetin e RMV-së. Ai, ndonëse e dinte se hotel “Shar An”, i cili gjendet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, përfaqëson trashëgiminë kulturore dhe është pjesë e një kompleksi monumental të mbrojtur dhe nuk mund të shitet, ai nuk ka ndërmarrë asgjë sipas kompetencave ligjore për mbrojtjen e objektit, por kërkoi nga disa prej anëtarëve të grupit që të kryenin prishjen dhe shkatërrimin e paligjshëm të tij”, thuhet mes tjerash në kumtesën e Prokurorisë, ku theksohet se me prishjen e objektit buxheti i shtetit është dëmtuar për 180.000.000,00 denarë.