Projekti i Edi Ramës për krijimin e një entiteti sovran bektashi në Tiranë ka hasur sërish në kundërshtim të fortë nga përfaqësues të traditës alevi-bektashiane në Turqi. Këtë herë, reagimi nuk drejtohet vetëm kundër idesë së një “Shteti Bektashi”, por vë në pikëpyetje edhe statusin e Baba Mondit si udhëheqës botëror i bektashinjve.

Kundërshtimi është artikuluar në forumin “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan nga e kaluara në të tashmen”, të zhvilluar në Hacıbektaş të Nevşehirit. Forumi u mbajt nën kujdesin e Presidencës së Kulturës Alevi-Bektashi dhe Cemeve, një strukturë që funksionon pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.

Në deklaratën përfundimtare, pjesëmarrësit kanë hedhur poshtë idenë që bektashizmi të shndërrohet në një projekt shtetëror apo politik, duke theksuar se autoriteti shpirtëror nuk mund të krijohet përmes shpalljes së sovranitetit politik, ndarjes së territorit apo lëshimit të pasaportave.

Por pjesa më e fortë e deklaratës lidhet drejtpërdrejt me Baba Mondin.

" "

Sipas përfaqësuesve të forumit, Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, nuk ka autorizimin fetar që, sipas hierarkisë së tyre tradicionale, do ta legjitimonte si udhëheqës global të bektashinjve. Ata pretendojnë se ai nuk mban titullin “Halifebaba” dhe, për këtë arsye, shpalljen e tij si udhëheqës botëror e konsiderojnë të pavlefshme sipas rregullave të tyre fetare.

“Bektashizmi nuk është shtet, lëvizje politike apo projekt kombëtar-politik. Autoriteti shpirtëror i një rruge besimi nuk mund të vendoset ose ndryshohet nëpërmjet shpalljes së sovranitetit politik, ndarjes së tokës apo lëshimit të pasaportave”, thuhet në deklaratë.

Firmëtarët shkojnë edhe më tej, duke deklaruar se çdo strukturë e krijuar në Shqipëri apo në një vend tjetër që nuk respekton këto parime, sipas tyre, nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e gjithë bektashizmit.

Përplasja prek gjithashtu edhe çështjen e qendrës shpirtërore të bektashizmit. Deklarata e forumit shpall “Pir Evi” në Hacıbektaş si qendrën historike dhe shpirtërore të pandryshueshme të këtij besimi, duke kundërshtuar çdo përpjekje për zhvendosjen e saj përmes vendimeve politike.

Kjo e vendos projektin e Tiranës përballë një debati shumë më të thellë se ai kushtetues dhe politik. Nuk diskutohet më vetëm krijimi i një mikro-shteti sovran brenda territorit shqiptar, por edhe çështja se kush ka autoritetin fetar për të folur në emër të bektashinjve në nivel botëror.

Tirana prej dekadash është selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ndërsa pala turke këmbëngul se Hacıbektaş mbetet qendra shpirtërore historike e bektashizmit.

Kundërshtimi ndaj projektit nuk është i ri. Që pas shpalljes së idesë nga Edi Rama në shtator të vitit 2024, përfaqësues të bektashinjve në Turqi kanë shprehur publikisht rezervat dhe kundërshtimet e tyre ndaj projektit dhe rolit të Baba Mondit.

Tashmë, dy vjet më vonë, debati është rikthyer me tone edhe më të forta, këtë herë përmes një forumi të zhvilluar nën kujdesin e një strukture shtetërore turke.

Projekti i shpallur nga Rama parashikon krijimin e një entiteti sovran në territorin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, me një sipërfaqe prej rreth 11 hektarësh dhe të konceptuar sipas modelit të Vatikanit. Baba Mondi është parashikuar si drejtues i këtij entiteti.

Por deklarata e fundit nga Hacıbektaş tregon se përplasja për “Shtetin Bektashi” nuk është më vetëm politike. Ajo tashmë ka hyrë hapur edhe në terrenin e autoritetit fetar dhe përfaqësimit të bektashizmit në botë.

sqShqip