October 8, 2024
Rajon - Botë

Turqia i kthen shpinën Bosnjes dhe Kosovës? Çaushoglu: Kemi marrëdhënie të arta me Serbinë!

(Tema është shtjelluar në kuadër të projektit “Albanica Nostra” me ndihmën financiare të “Diasporës Mbarëkombëtare”. Redaksia nuk pajtohet domosdoshmërisht me të gjitha qëndrimet e shprehura në këtë tekst)

Në kohën kur në Beograd po kthehet retorika dhe mendësia e Millosheviqit, Turqia po zhvillon “marrëdhënie të arta” me Serbinë.
Edhe pse retorika dhe veprimi destruktiv i Beogradit është drejtuar ndaj Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, ku Turqia perceptohet si mike, e presidenti i saj Recep Taiyp Erdogan te shumë qytetarë gëzon rejting më të lartë se politikanët vendorë, Ankaraja zyrtare ka vendosur t’i “trashë” aq shumë raportet me Serbinë, sa që ministri i jashtëm turk Çaushoglu gjatë pritjes së fundit zyrtare të minsitrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, do të deklaron:

“Ne po jetojmë periudhën e marrëdhënieve më të mira mes Türkiyes dhe Serbisë, kjo është epoka e artë e marrëdhënieve tona”, tha Çavuşoğlu, duke theksuar se në periudhën e ardhshme do të punojë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Türkiyes dhe Serbisë.

Turqia dekadat e fundit kultivon raporte “emocionale” ndaj Kosovës, Bosnje Hercegovinës, Shqipërisë por edhe ndaj pjesës së Maqedonisë së Veriut ku jetojnë shqiptarët, deri sa raportet me Serbinë janë ekonomike dhe kurorëzohen me investimet disa miliardëshe. Ankaraja zyrtare edhe krenohet me këtë fakt.

ÇaushoglU vuri në dukje se gjatë vizitës së fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Serbi, janë nënshkruar shtatë dokumente në fusha të ndryshme.

“Ne do të punojmë në forcimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Vëllimi i tregtisë ka arritur në 2.5 miliardë dollarë. Udhëheqësit tanë kanë vendosur një objektiv prej pesë miliardë dollarësh. Ne duhet të vendosim qëllime të reja”, tha Çavuşoğlu.

Ai po ashtu shtoi se niveli i investimeve turke në Serbi është vazhdimisht në rritje, për çka falënderoi Serbinë, e cila, siç theksoi, po i zgjidh të gjitha pengesat që hasin investitorët turq në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“HalkBank po hap degë të reja në Serbi dhe numri i degëve të kësaj banke do të rritet në 40”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se Türkiye dhe Serbia dëshirojnë të forcojnë bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe se bisedimet janë duke vazhduar në këtë front.

Mes të tjerash, ai foli edhe për numrin e turistëve që shkëmbejnë me njëri-tjetrin duke konstatuar se kjo shifër është në rritje të vazhdueshme dhe se në këtë drejtim do të ndërmerren hapa të rink në linjat e trafikut ajror.

“Pas Istanbulit dhe Ankarasë, në shkurt të këtij viti do të fillojmë me fluturime direkte Izmir – Beograd”, tha Çavuşoğlu.

Sa i përket bashkëpunimit në fushën e kulturës, ai po ashtu ka bërë të ditur se Agjencia për Bashkëpunim dhe Koordinim e Türkiyes (TIKA) këtë vit do të fillojë restaurimin e Xhamisë Bajrakli të Beogradit.

Qasja e gabuar e Turqisë, sipas njohësve të rrethanave, bie në sy edhe në bisedimet e saj me Serbinë për situatën në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, edhe pse bëhet fjalë për dy shtete të pavarura, me çka një shtet rajonal në mënyrë indirekte legjitimon pretendimet hegjemoniste të Serbisë ndaj dy vendeve fqinje.

Kjo sjellje e Ankarasë është më se e mirëpritur nga Beogradi, por se nuk i shërben aspak marrëdhënieve të mira me Kosovën, BeH, e as me Shqipërinë. /RLER