Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në “fazat e tyre përfundimtare”, ndërsa e priti në takim të dielën në Florida presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Trumpi ka këmbëngulur se presidenti rus Vladimir Putin ishte gati të bënte një marrëveshje paqeje, pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me të, pak para takimit me Zelenskyn.

Trumpi është takuar me presidentin e Ukrainës jashtë rezidencës së tij në Mar-a-Lago teksa ka pretenduar se të dyja palët ndërluftuese ishin afër një marrëveshjeje.

Ai madje ka shtuar se marrëveshja mund të arrihet brenda pak javësh.

“Të dy udhëheqësit duan që kjo të përfundojë”, ka deklaruar Trumpi, duke shtuar se “Mendoj se mund të ecim shumë shpejt. Përndryshe do të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë”.

Trumpi ka vlerësuar Zelenskyn, duke thënë se “ky zotëri ka punuar shumë dhe është shumë i guximshëm, dhe njerëzit e tij janë shumë të guximshëm”.

“Mendoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje. Kemi dy vende të gatshme. Jemi në fazat e fundit të bisedimeve”, është shprehur presidenti amerikan.

Duke folur me gazetarët, të dy udhëheqësit diskutuan versionin më të fundit të një plani paqeje prej 20-pikash dhe çështjen e pazgjidhur të së ardhmes së rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës. Pranë Trumpit, Zelensky ka thënë se negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë bërë përparim të mirë në javët e fundit, teksa sipas tij për “90%” të draftit tashmë është rënë dakord.

Ndërkohë, Trumpi ka deklaruar se çështja e Donbasit nuk është zgjidhur ende.

Temat kryesore të bisedimeve përfshijnë garancitë e sigurisë për të parandaluar Rusinë të sulmojë përsëri, mirëpo presidenti amerikan ka thënë se beson se Putini është serioz për paqen.

Një gazetar ka pyetur Trumpin gjatë konferencës nëse Rusia do të ketë ndonjë përgjegjësi për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.

“Ata do të ndihmojnë. Rusia dëshiron ta shohë Ukrainën të ketë sukses”, ka deklaruar ai.

Lideri amerikan po ashtu ka thënë se një takim trepalësh SHBA-Ukrianë-Rusi mund të ndodhë në momentin e duhur.

Trumpi thotë se është bërë “shumë progres” në takimin me Zelenskyn, i gatshëm për vizitë në Ukrainë

Përditësim – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur i lumtur pas takimit në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ai ka thënë se ka pasur një takim të shkëlqyeshëm dhe është bërë “shumë progres”.

Ai tha se kanë folur së bashku me Zelenskyn edhe me liderët e Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Finlandës, Polonisë, Italisë e Norvegjisë dhe me kreun e NATO-s.

“Ata të gjithë janë liderë të mëdhenj, dhe kemi pasur diskutime të mëdha me ta”, tha Trump, duke shtuar se është afër një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënnë se janë diskutuar gjitha pikat e kornizës së paqes. Ai tha se plani 20-pikësh i paqes është dakorduar 90% dhe se janë dakorduar 100% garancitë e sigurisë mes SHBA-së dhe Ukrainës.

Ai ka thënë se garancitë e sigurisë janë kyç për të arritur paqe të qëndrueshme.

Zelensky ka shtuar se delegacionet evropiane dhe të Ukrainës do të punojnë këtë dhe do të takohen në javët në vijim për të “finalizuar gjitha çështjet”.

Trumpi do t’i presë delegacionet në Washington.

E Trumpi ka thënë se garancitë e sigurisë janë dakorduar gati 95 për qind.

E sa i përket marrëveshjen që Donbas të shpallet zonë e tregtisë së lirë, Trump ka thënë se nuk është zgjidhur, por po afrohen.

Zelensky ka thënë se për Donbasin, Ukraina ka qëndrim ndryshe nga ai që ka Rusia.

I pyetur për çështjen më të vështirë, Trump ka thënë se është çështja e “tokës”.

“Është mirë të bëhet një marrëveshje tash”, tha Trump, ndërsa shtoi se Ukraina “ka qenë shumë e guximshme…dhe ka shkaktuar dëme të jsahtëzakonshme”, por “është koha për t’i dhënë fund” luftës.

Ai ka shtuar se është i hapur ta vizitojë Ukrainën, por do të preferonte të arrihej një marrëveshje fillimisht.

Po ashtu ka shprehur gatishmëri të flasë në Parlamentin e Ukrainës, nëse Zelensky mendon se kjo ndihmon.

“Je i mirëpritur, gjithmonë”, tha Zelensky.

Trump tha se ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në lidhje me centralin bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë, që ka qenë nën kontrollin rus që nga fillimi i luftës.

“Presidenti Putin në fakt po punon me Ukrainën për ta hapur atë. Ai ka qenë shumë i mirë në këtë aspekt. Ai dëshiron ta shoh këtë të hapur. Ai nuk e ka goditur atë me raketa”, tha Trump.

Trumpi nis takimin me Zelenskyn, beson që Putini është serioz për paqe

Ka nisur takimi mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Zelensky ka arritur në rezidencën Mar-a-Lago në Florida ku është pritur nga Trumpi.

Dy liderët i kanë shtrënguar duart dhe kanë ndaluar për foto. Trump ka marrë disa pyetje nga gazetarët para takimit.

I pyetur nëse mendon se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është serioz për paqe kësaj radhe, Trump tha: “Besoj, besoj. Mendoj se të dy janë”.

Ai ka thënë se do të ketë një takim shumë të mirë me Zelenskyn. Po ashtu ka treguar se do të telefonojë Putinin pas takimit dhe “do të vazhdohet me negociata”.

Ai ka thënë se do të ketë marrëveshje sigurie dhe do të ketë marrëveshje të fortë.

“Evropianët janë shumë të përfshirë në këtë”. Ai ka thënë se vendet evropiane “kanë qenë fenomenale” dhe liderët evropianë janë “njerëz të mrekullueshëm”.

Trumpi ka thënë se beson se janë në fazën finale të bisedimeve dhe një “fund i shpejt” i luftës është i mundur.

“Do të përfundojë apo do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe miliona njerëz tjerë do të vdesin. Dhe askush nuk e do këtë. Mendoj se do të lëvizë shumë shpejt”, tha Trump.

E presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka thënë se është dakorduar shumica e planit dhe se do të diskutohet për pikat përfshirë çështjes së territorit.

sqShqip