Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërndarë të martën në rrjetin e tij “Truth Social” një postim nga platforma “X”, ku pretendohet se Elon Musk ka penguar manipulimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane 2024 duke “çaktivizuar” kompjuterët e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi.
Trump humbi zgjedhjet e vitit 2020 ndaj kandidatit demokrat Joe Biden, duke pretenduar vazhdimisht se demokratët i kishin vjedhur rezultatet – pretendime që kulmuan me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e tij, shkruan media serbe N1, transmeton Klankosova.tv.
Tani, ai ka shpërndarë një postim nga llogaria e verifikuar e mbështetësit të tij, Johnny St. Pete, i cili citon komentatorin konservator amerikan Benny Johnson. Ky i fundit pretendon se pronari i “X”-it, Elon Musk, ka “shpëtuar zgjedhjet” duke gjurmuar IP-adresat nga jashtë ShBA-së ku, sipas tij, kryhej numërimi i votave, dhe i ka çaktivizuar ato.
“Musk e dinte që do t’i fitonte zgjedhjet dhe, me sa duket, kjo ndodhi sepse ata identifikuan sistemet dhe makineritë jashtë vendit që do të përsërisnin atë që pamë në vitin 2020”, shkruan Pete në postimin që shpërndau edhe Trumpi. Ai shton se Musk kishte ndjekur IP-adresat e “Dominion Voting Systems” në Serbi dhe u kishte çaktivizuar kompjuterët pak ditë para zgjedhjeve 2024.
Pete i referohet edhe Emerald Robinsonit – ish-korrespondente në Shtëpinë e Bardhë, e larguar nga Newsmax në vitin 2022 për përhapje teorish konspirative rreth COVID-19. Sot, ajo drejton një emision në “Lindell TV”, një platformë që promovon narrativa kundër mediave tradicionale. Në këtë televizion këtë vit ka qenë i ftuar edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
Robinson në “X” ka shpjeguar versionin e saj për mënyrën se si, sipas saj, është planifikuar vjedhja e zgjedhjeve. Ajo pretendon se të dhënat e identifikuara nga hetimet e kërkuara nga Trump pas zgjedhjeve 2020 tregojnë “rol kyç” të makinerive të “Dominion” dhe softuerit “Smartmatic” në manipulimin e votave – një skemë që sipas saj është përdorur edhe në vitin 2024.
Pretendimet për lidhjet e makinerive të votimit me Serbinë
Një tjetër ideator teorish konspirative, Patrick M. Byrne, ka pretenduar se në zgjedhjet 2020 është kryer sulm nga jashtë ShBA-së ndaj sistemeve të votimit në disa shtete amerikane. Në një padi të ngritur kundër tij nga kompania “Dominion” në vitin 2021, Byrne akuzohet se ka publikuar pretendime të rreme se të dhënat e votave “dalin jashtë vendit”, për t’u manipuluar në Gjermani, Barcelonë, Serbi dhe Kanada, e më pas kthehen të ndryshuara në ShBA.
“Dominion”, në padinë e saj, ka theksuar se akuzat janë krejtësisht të rreme dhe se Byrne ka angazhuar persona që i kanë prodhuar “dëshmi të rreme” për të mbështetur pretendimet e tij.
Dominion dhe prania në Serbi
“Dominion Voting Systems”, e themeluar në Toronto të Kanadasë, prodhon makineri elektronike votimi dhe pajisje optike për numërim votash. Në zgjedhjet e vitit 2020 këto pajisje u përdorën në 28 shtete amerikane, përfshirë shtetet vendimtare Wisconsin dhe Georgia.
Kompania ka degë zhvillimi softueri në ShBA, Kanada dhe Serbi, ku është prezente që nga viti 2011.
Në mars 2024, në rrjetet sociale u publikuan rreth 2.000 faqe me e-maile të brendshme të punonjësve të “Dominion”, të publikuara nga një llogari në “X” me emrin dhe fotografinë e sherifit Dar Leaf, i cili kishte hetuar pretendimet për manipulim zgjedhjesh në Michigan. Në këtë publikim përfshihej edhe një letër e supozuar e tij ku thuhej se “shtetas të huaj nga Serbia” kishin hyrë në sistemin amerikan të votimit gjatë numërimit të votave.
“Dominion” reagoi duke i cilësuar pretendimet si ksenofobe, duke theksuar se prezenca e punonjësve të huaj në kompani nuk përbën asnjë provë për vepër penale.
Faqja amerikane “Stolen Elections Facts” ka publikuar se “Dominion” ka hapur një qendër të të dhënave në Beograd përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, e njohur edhe si “Dot Networks”, që operon edhe në tregun amerikan. Mes klientëve të saj në Serbi renditen kompani të mëdha shtetërore si “Telekom Srbija”, EPS, EMS dhe Banka e Kinës.
Pronari i “Roaming Networks”, Nenad Kovaç (i njohur si Nesha Roming), është përshkruar nga “Forbes Serbia” si pjesë e elitës së re të biznesit në Serbi. Ai e nisi karrierën me kompaninë “Roming” për shitje të telefonave mobilë në vitin 2000, ndërsa u bë i njohur publikisht si pjesë e konsorciumit që menaxhoi sistemin e biletimit “Bus Plus” në Beograd.
N1 i është drejtuar për përgjigje kompanive “Dominion Voting Systems” dhe “Roaming Networks” lidhur me këto pretendime, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje. /Klankosova.tv


