Donald Trump tha se garancitë e sigurisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ishin “95 për qind të realizuara”, ndërsa priti Volodymyr Zelensky në Mar-a-Lago për bisedime paqeje.
Duke folur në shtëpinë e tij të pushimeve në Florida, Trump tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit ishte “shumë më afër” pas një pasdite negociatash me presidentin ukrainas dhe një telefonate me udhëheqësin rus Vladimir Putin të dielën.
Presidenti amerikan sugjeroi se mund të duhen “disa javë” për të arritur marrëveshjen dhe se mbeten disa “çështje të vështira”, me shumë mundësi duke iu referuar lëshimeve territoriale të Ukrainës.
Një takim trepalësh midis presidentit të Ukrainës dhe Putinit është i mundshëm, shtoi ai.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zotin Zelensky, zoti Trump u tha gazetarëve: “Mendoj se po ia dalim shumë mirë. Mund të jemi shumë afër. Ka një ose dy çështje shumë të vështira, por mendoj se po ia dalim shumë mirë.”
“Unë vërtet besoj se ndoshta jemi… më afër se, shumë më afër se kurrë më parë me të dyja palët. Brenda pak javësh, do ta dimë në një mënyrë ose në tjetrën.”
Zelensky tha të hënën se SHBA-të po i ofronin Ukrainës garanci sigurie për një periudhë prej 15 vitesh, si pjesë e planit të propozuar të paqes, megjithëse tha se do të preferonte një angazhim 50-vjeçar nga Shtëpia e Bardhë.
Në telefonatën e tyre, Putin dhe Trump shkëmbyen urime për Krishtlindje dhe ranë dakord që Ukraina duhej të merrte një vendim mbi të ardhmen e rajonit lindor të Donbasit, për të siguruar një marrëveshje pa një armëpushim të përkohshëm, sipas Kremlinit.
Më pas, zoti Trump tha se kishte folur me një Putin, “President shumë interesant”, i cili ishte “shumë serioz” për paqen.
Pasi i uroi mirëseardhjen Zelenskyt në shkallët e Mar-a-Lago, Trump tha se nuk kishte afat për marrëveshjen e propozuar të paqes, të cilën ai e quajti “përfitim të madh ekonomik për Ukrainën”.
Ai këmbënguli se Rusia do të ndihmonte në rindërtimin e Ukrainës, duke shtuar: “Rusia dëshiron ta shohë Ukrainën të ketë sukses.” Ky ishte një sugjerim që ukrainasit do ta kundërshtonin fort, dhe që shkaktoi ngritjen e vetullave dhe një buzëqeshje ironike nga z. Zelensky.
Ukrainasi paralajmëroi të hënën se veprimet e Rusisë në Ukrainë, nuk korrespondonin me “retorikën paqësore” të Putinit kur foli me zotin Trump.
Bisedimet ballë për ballë kishin për qëllim zgjidhjen e çështjeve kyçe në një marrëveshje prej 20 pikash të skicuar nga zyrtarët ukrainas dhe amerikanë, të cilën presidenti ukrainas e ka përshkruar si “90 përqind të arritur”.
Pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbeten lëshimet territoriale, veçanërisht fati i Donbasit dhe centralit bërthamor të Zaporizhzhisë të pushtuar nga Rusia , më i madhi në Evropë.
I pyetur nëse kishte pasur marrëveshje për një zonë të tregtisë së lirë në Donbas, Trump tha se çështja ishte ende “e pazgjidhur, por… po i afrohet shumë më tepër”.
Trump tha se Putini mezi priste të rihapte centralin bërthamor, i cili ka qenë nën kontrollin rus që nga fillimi i luftës.
“Presidenti Putin po punon në të vërtetë me Ukrainën për ta hapur atë”, tha ai.
“Ai ka qenë shumë i mirë në këtë kuptim. Ai dëshiron ta shohë këtë të hapur.”
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë”, tha zoti Zelensky për lëshimet territoriale. “Kjo është arsyeja pse Presidenti Trump tha se kjo është një çështje shumë e vështirë dhe, sigurisht, ne kemi qëndrime të ndryshme me Rusinë për këtë.”
Trump shtoi se udhëheqësit evropianë, të cilët i telefonoi pas takimit njëorësh, kishin qenë mbështetës dhe “shumë të përfshirë” në procesin e paqes.
Zelensky tha se Trump kishte rënë dakord të priste përsëri udhëheqësit evropianë, ndoshta në Shtëpinë e Bardhë, diku në janar. Amerikani tha se takimi mund të zhvillohet në Uashington ose “diku tjetër”./ The Telegraph.

