Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi rritjen me 10% të tarifave tregtare ndaj Kanadasë, pas reklamës së provincës kanadeze Ontario, të cilën ai e cilësoi “të rreme dhe armiqësore”.
Reklama, që përfshinte fjalë të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan mbi pasojat negative të tarifave, u transmetua gjatë ndeshjes së parë të World Series midis Toronto Blue Jays dhe Los Angeles Dodgers. Trump reagoi ashpër në platformën e tij Truth Social.
“Reklama duhej të hiqej menjëherë, por ata e lanë të transmetohej, duke ditur se ishte mashtrim. Për shkak të shtrembërimit serioz të fakteve dhe aktit armiqësor, po rris tarifat ndaj Kanadasë me 10%.”
Të enjten, Trump pezulloi bisedimet tregtare me Otavën, duke thënë se reklama ishte “mashtruese dhe e pabazë”.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, deklaroi se pas konsultimeve me kryeministrin kanadez Mark Carney, provinca do të ndalojë fushatën reklamuese të hënën për të lejuar rifillimin e negociatave.
Nuk është e qartë se cilat produkte do të preken nga tarifat shtesë, pasi shumica e eksporteve kanadeze janë të përjashtuara nën marrëveshjen tregtare SHBA-Meksikë-Kanada. Megjithatë, SHBA ka vendosur më parë 35% tarifa për mallrat kanadeze jashtë kësaj marrëveshjeje dhe 50% tarifa për çelikun dhe aluminin nga disa vende.
Trump dhe kryeministri Kerni, të cilët janë pjesë e samitit në Malajzi, nuk parashikojnë ndonjë takim mes tyre.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Tregtisë amerikane nuk kanë dhënë ende komente mbi masat e reja.
Reklama që shkaktoi polemikën përdorte disa fragmente nga një fjalim i Ronald Reagan-it, ku ai kritikonte tarifat, por nuk përmendte se në të njëjtin fjalim Reagan i konsideronte ato si një përjashtim të domosdoshëm ndaj besimit të tij në tregtinë e lirë si themel të prosperitetit ekonomik.
