May 25, 2024
Maqedoni

Tri banda në Maqedoni e kontrollojnë tregun e zi të drogës

Ilustrim, drogë e sekuestruar nga MPB
Tre kartele maqedonase e mbajnë tregun e zi me trafikun e drogës, thotë ish-shefi i policisë Ljubomir Gjurçeski. Ai nuk është i kënaqur me luftën e MPB-së kundër trafikut të drogës, pasi pjesë e biznesit të paligjshëm qindra milionë eurosh janë bërë edhe punonjës të policisë, shkruan Zorana Gaxhovska Spasovska nga Radio Evropa E Lirë.

Qindra miliona euro peshon biznesi i paligjshëm i drogës që kalon përmes Maqedonisë së Veriut si vend tranzit nga rruga ballkanike e kontrabandës. Vetëm në aksionet e policisë gjatë këtij muaji janë sekuestruar disa qindra kilogramë drogë e kapur si pjesë e kanaleve ndërkombëtare të trafikut të drogës, raporton Gazeta Populli.

Ish-shefi i policisë Ljubomir Gjurçeski thotë se disa kanale ndërkombëtare të trafikut të drogës kalojnë nëpër vend. Nga grupet kriminale maqedonase që janë pjesë e tranzitit ndërkombëtar të trafikut të drogës, janë aktive tri banda.

“Në Maqedoni, në nivel shtetëror, po shfaqet edhe një kanal i tretë, ai është kanali maqedonas Strumicë – Manastir që zë vend dominues në tregtinë ilegale të marihuanës. Ndërsa pjesa me kokainën dhe heroinën e ndajnë grupi Haraçinë-Çair dhe grupi Saraj-Grçec, do të thotë se edhe ata e ndajnë edhe shtetin në ato baza, në zona interesi, kështu që shpesh dinë të kenë konflikte të armatosura kur ka shkelje të atyre hierarkive, marrëveshjeve të pashkruara mes grupeve mafioze, sepse të njëjtat kanale kontrollojnë një pjesë të tregjeve evropiane, duke mbrojtur kanalin ballkanik që kalon nëpër Maqedoni. Sidomos grupi nga Grçeci, i cili sipas të gjitha njohurive të mia nga terreni është dominues”, tha Gjurçeski.

Dy banda qeverisin me nëntokën e Shkupit

Marihuana maqedonase e kërkuar në treg

Sipas tij, trafiku i drogës ndahet në dy pjesë, e para është më fitimprurëse dhe i referohet biznesit të paligjshëm të kokainës dhe heroinës që kalon përmes rrugës ballkanike nga Afganistani përmes Turqisë nëpërmes Ballkanit në vendet e Evropës Perëndimore. E dyta është biznesi i paligjshëm i marihuanës, i cili sjell fitime më të ulëta nga trafiku i kokainës dhe heroinës.

“Ato janë kanale të brendshme mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës dhe janë grupe kriminale që kanë krijuar një marrëdhënie hierarkike dhe bashkëpunim të mirë me njëri-tjetrin dhe duke qenë se e gjithë ajo drogë përmes Greqisë përfundon në tregjet në Evropën Perëndimore, kryesisht në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë. “Duhet të kihet parasysh se prodhimi i marihuanës maqedonase është ndër më cilësorat dhe për këtë arsye është aq e kërkuar në tregje”, tha Gjurçevski, transmeton Gazeta Populli.

Pas legalizimit të prodhimit të kanabisit në vend për qëllime mjekësore, në buletinet e policisë dolën informacione se një pjesë e kanabisit të prodhuar legalisht përfundon në “tregun e zi”.

Raporti i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional” i publikuar në maj tregon se marihuana është ndër drogat më të përdorura në Ballkanin Perëndimor.

Në të tregohen tre rrugë kryesore. Një pjesë e tregtisë së paligjshme të marihuanës dërgohet nga qytetet shqiptare të Vlorës, Fierit, Himarës dhe Lezhës me varkë drejt Italisë. Rruga tjetër e njohur shkon në jug përmes Ohrit dhe Manastirit në Maqedoninë e Veriut për në Greqi. Rruga e tretë është nga Shqipëria drejtpërsëdrejti në Greqi ose me varkë ose përmes kalimeve malore.

Punonjës të policisë dhe doganierë janë pjesë e transportit të organizuar të paligjshëm të drogës

Sipas raportit “Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional”, në këtë biznes kriminal janë të përfshirë edhe persona nga institucionet.

“Kjo ‘ekonomi e mbrojtur’ varion nga rojet e korruptuar të kufirit që mungojnë në pikat kufitare ose që shikojnë nga ana tjetër në pikat kyçe kufitare, deri te injorimi nga ana e policisë dhe përfshirja e tyre në kontrabandë. “Ajo mund të përfshijë edhe politikanë që mbrojnë lojtarët kryesorë për një pjesë të biznesit,” thuhet në raport.

Informacionet e tilla konfirmohen edhe nga buletinet e policisë që sugjerojnë për korrupsion në rradhët e organeve të rendit, pasi që në aksione jo rallë arrestohen punonjës policie apo doganierë.

Vetëm tre ditë më parë tre policë dhe pesë doganierë janë arrestuar për kontrabandë dhe trafikim me narkotikë në një aksion policor në Kumanovë, Shkup dhe Tetovë. Policiët në mënyrë të paligjshme e kanë bartur drogën nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit deri në kufirin me Kosovën, ndërsa doganierët nuk kanë kryer kontrollin e duhur. Ekipi doganor që është thirrur për të kontrolluar mallin në aeroport, në thelb ka bashkëpunuar me oficerët e dyshuar të policisë.

“Çështja kyçe është lidhja e njerëzve në institucione dhe e policisë dhe e doganierëve. Ky hetim e vërtetoi këtë lidhje. Vetë fakti që po vijnë një grup i caktuar doganierësh nuk konfirmon atë çka është gjendje faktike, por vetëm thjeshtë e vërteton deklarimin e mallit që nuk është i vërtetë, por bëhet fjalë për deklarim i gjoja aksesorësh për celularë. Ata këtë e konfirmojnë sepse janë pjesë e grupit të organizuar. Ministria e Punëve të Brendshme me një hetim serioz i vërtetoi të gjitha këto fakte dhe i ka sjellë para drejtësisë”, tha ministri i Brendshëm Oliver Spasovski në konferencën e djeshme për media.

Disa inspektorë më afër kriminelëve apo ligjit?

Gjurçeski e vlerëson si të keqe betejën e MPB-së kundër tregtisë ilegale të drogës për faktin se në trafikim të drogës janë të përfshirë edhe policë. Arsyeja për këtë ai e sheh në politikën kadrovike në MPB, e cila, siç thotë ai, ka krijuar një situatë pafuqie të shërbimeve.

“E shpërbënë grupin e inspektorëve me përvojë që e dinin mirë punën e tyre në fushën e trafikut të paligjshëm të drogës, sollën një grup tjetër inspektorësh për të cilët ka dyshime të arsyeshme se janë më pranë grupeve të organizuara kriminale sesa me forcat e rendit në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Kjo më shqetëson mua personalisht si ish-pjesëtar i policisë. Sidomos me keqardhje mund të konkludoj se dikush në MPB po përpiqet të bëjë një presion të tillë mbi punonjësit e policisë e cila është një tragjedi kur shefa të SPB-ve përfshihen në trafik të paligjshëm të drogës”, tha ai.

Ky është vetëm një nga rastet e fundit. Më herët këtë muaj MPB-ja informoi për ndërprerjen e kanalit ndërkombëtar të transportit të drogës nga Kosova dhe sekuestroi rreth 200 kilogramë marihuanë në vlerë prej 600 mijë eurosh. Në nëntor, në fshatin Ame të Dibrës, pranë kufirit me Shqipërinë, u kapën 200 kg marihuanë me vlerë 500 mijë euro. Në të njëjtin operacion policia ka arrestuar një Shqiptar me 100 kilogramë marihuanë në komunën e Debarcës me vlerë 350 mijë euro, i cili ishte pjesë e një kanali ndërkombëtar për kontrabandë të marihuanës nga Shqipëria në Maqedoni, transmeton Gazeta Populli.

Informacione për raste të tilla kishte gjatë gjithë vitit.

Gati dy ton marihuanë dhe 1.2 kg heroinë u kapën këtë vit

Në muajin prill të këtij viti, në disa aksione për sekuestrimin e marihuanës, mori pjesë edhe Shërbimi Amerikan Kundër Drogës DEA, ku u arrestuan gjashtë persona me 200 kilogramë marihuanë me vlerë prej 800 mijë eurosh. Në këtë aksion janë bërë kontrolle në fabrikat për prodhimin e kanabisit medicinal në Prilep dhe Manastir, si dhe kontroll është kryer edhe tek një zyrtar policor.

Nga MPB këekuam të dhëna statistikore për veprimet e tyre në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tyre, nga fillimi i vitit deri në nëntor janë sekuestruar 1.8 ton marihuanë, rreth 20 mijë kërcell marihuanë, rreth 1500 tableta, 8 kg hashash, rreth 1.2 kg heroinë. Pas 400 kontrolleve nëpër shtëpi, për shitje të paligjshme droge, janë marrur masa përkatëse ndaj 941 personave.

“Në të njëjtën kohë janë zbuluar tri plantacione marihuane në rajonin e Ohrit, Strumicës dhe Tetovës, dy laboratorë të marihuanës në banesa në Shkup dhe një në Katllanovë, janë ndërprerë 16 transporte ndërkombëtare të drogës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme për Radio Evropën e Lirë.

Nga fillimi i vitit janë ngritur kallëzime penale ndaj 287 autorëve për 215 vepra penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, si dhe gjashtë vepra “mundësimi i përdorimit të narkotikëve” ndërsa të paraqitur penalisht janë edhe 12 shtetas të huaj.

Viti i kaluar ishte më i frytshëm për policinë për sa i përket kapjes së drogës. Vetëm në prill të vitit 2020, policia maqedonase zbuloi 1.2 ton kanabis në një magazinë afër Shkupit. Në një aksion në fund të vitit 2020, në një magazinë në afërsi të Vallandovës u vodh marihuanë e prodhuar legalisht. Më pas policia gjeti vetëm një pjesë të drogës në Haraçinë të Shkupit. U vodhën edhe 60 kilogramë marihuanë edhe nga një fabrikë në Krushevë, ndërsa nga një fabrikë në Urlarci të Kërçovës, punonjës të fabrikës kanë eksportuar ilegalisht marihuanë dhe e kanë shitur në tregun e zi.

Sipas raportit vjetor të policisë në vitin 2020, Ministria e Brendshme ka arritur të ndërpresë 13 kanale të transportit ilegal ndërkombëtar të heroinës e prokuruar nga Kosova me destinacion final BE-në. Në sekuestrimin e drogës për tregun europian përfshihet edhe një kilogram kokainë e fshehur në një pako me banane që policia u informua nga institucionet ndërkombëtare se vinte nga Kolumbia.

Ndër lëndët narkotike të tjera të sekuestruara nga policia maqedonase gjatë kalimit të nëntë kanaleve ndërkombëtare janë 500 kilogramë marihuanë, më pas dy transporte me gati njëqind kilogram hashash dhe 1.8 litra hashash në vaj, një pjesë e të cilave kanë qenë nga Shqipëria, një pjesë nga Kosova. Destinacioni përfundimtar i drogës së sekuestruar ishte Turqia dhe Bullgaria, sipas raportit vjetor të Ministrisë së Brendshme.

Policia maqedonase ka marrë pjesë edhe në pesë hetime ndërkombëtare të shërbimeve kundër drogës. Në to janë kapur pesë kilogramë kokainë, në Austri janë kapur pesë kilogramë heroinë, shtatë kilogramë heroinë në Serbi, 12,5 kilogramë heroinë në Mal të Zi dhe është realizuar transport i kontrolluar në territorin e Italisë ku janë kapur mbi një ton kokainë ndërsa në territorin e Maqedonisë së Veriut, është kapur një kilogram kokainë./Gazetapopulli.net