April 27, 2024
Maqedoni

Trençevska: Do të ndërtohen çerdhe të reja me çka problemi me listat e pritjes do të tejkalohet

Zëvendës ministrja shtesë e Punës dhe Politikës Sociale tha se ekziston listë pritjeje për regjistrimin e fëmijëve nëpër çerdhet e Shkupit dhe rrethinës. Trençevska vlerëson se me ndërtimet e çerdheve të reja ky problem do të tejkalohet, ndërsa qëllimi është që në vitin 2028, përqindja e fëmijëve të përfshirë në procesin arsimor parashkollor të rritet në 70 përqind.

”Lista e pritjes ekziston në komunat e Shkupit, në Qytetin e Shkupit, ku është problem më i madh për përfshirjen e fëmijëve në edukim dhe arsimim parashkollor. Pikërisht për këtë në të gjitha komunat e Shkupit kemi ndërtuar kapacitete shtesë të objekteve të reja dhe në dhjetor 2023, Qeveria ndau 4 milion euro për komunën Gjorçe Petrov, Karposh, Butel dhe Kisella Vodë, për ndërtim të çerdheve të reja, me çka problemi me listat e pritjes do të tejkalohet”, u shpreh Jovanka Trençevska, Zv ministre shtesë e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërsa ministri teknik, Gjoko Vellkovski kohë më parë pati deklaruar se ndër problemet kryesorë të çerdheve është edhe mungesa e kuadrit.

“Akoma 5000 fëmijë janë në listën e pritjes nëpër çerdhe, kjo nënkupton se kushtet hapësinorë nuk janë të mjaftueshme në pjesën më të madhe të komunave në Maqedoni. Pastaj këtu është problem me kuadrin, respektivisht pëlqimet që nuk i kanë marrë në disa vitet e fundit si kuadër, që të mund t’i plotësojnë vendet e zbrazëta nga pensionimet, ikjet prej punës dhe të ngjajshme”, kishte deklaruar Gjoko Vellkovski, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Më këtë pohim të ministrit teknik nga radhët e VMRO-DPMNE-së nuk pajtohet Trençevska. Sipas saj gjatë këtyre viteve nëpër çerdhe janë punësuar 2881 persona. /Alsat.mk