May 9, 2024
BallinaMaqedoni

Dhjetëra raste të reja me kollën e keqe

27 raste të reja me kollën e keqe janë shënuar nga data 19 deri më 25 prill. Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, shumica e rasteve janë evidentuar në Shkup – 20, si dhe në Manastir – 3, Kumanovë – 2 persona dhe nga 1 rast në Tetovë dhe në Demir Hisar.

“Kurba epidemike tregon se shfaqja e rasteve të reja të kollës së keqe fillon në javën e parë të 2024. Sipas të dhënave të regjistruara për një periudhë shtatë ditore nga e hëna deri të dielën, vërehet rritje e vazhdueshme e numrit të rasteve në baza javore, deri në javën e 12-të. Pas kësaj me variacione të vogla, numri i rasteve të raportuara është në rënie. Nga të sëmurët, 73 persona u shtruan në spital. Prej tyre, 59 janë nën moshën katër vjeç. Numri më i madh 51 raste ose 70% janë shtruar në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkërive te fëmijët në Kozle. Nga numri total i të shtruarve, 67 kanë dalë nga spitali. Mesatarisht, pacientët janë shtruar në spital për nëntë ditë”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik .

Por, edhe imunizimi kundër kollës së keqe ka avancuar. Nga data 18 janar deri më 25 prill të këtij viti janë dhënë gjithsej 42,857 doza vaksine që përmban një komponent kundër kollës së keqe. Mosha e pacientëve është nga një muaj deri në 54 vjeç, dhe numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha 10-14 vjeç. Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik thotë se epidemia është nën kontroll dhe s’ka vend për panik.

“Gjithsesi fokusi i Qendrës për shëndet publik në Shkup mbetet mbikëqyrja, ne me kujdes të veçantë e ndjekim situatën me kollin e keq. Mund t’ju them se nuk ka vend për panik, të gjitha rastet e reja, të cilat tashmë në nivel vjetor janë 2-4 raste përcillen dhe paraqiten në institucionet përkatëse. Mbetet apeli për vaksinim që të bëhet sa më masiv dhe mendoj se kemi arritur edhe sukses në vaksinimin e fëmijëve të vegjël dhe besoj se do të ja dalim edhe me këtë krizë të epidemisë”, u shpreh Besim Zeqiri, Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.

Deri më 25 prill, në vend janë regjistruar gjithsej 516 raste me kollën e keqe, me një incidencë prej 28 në 100 mijë banorë. Kjo paraqet një rritje shumëfish të numrit të pacientëve krahasuar me pesëvjeçarin e kaluar – 2019-2023, kur janë regjistruar vetëm 10 raste. Numri më i madh i personave të prekur jetojnë në Shkup – 412 ose 80%, në Kumanovë janë raportuar 29 të sëmurë ose 5.6%, ndërsa në kuadër të epidemisë raste janë raportuar edhe në 16 qytete të tjera të vendit, prej të cilëve 254 persona janë meshkuj dhe 262 femra./Alsat.mk