May 17, 2024
Lajmet e reja

Tragjedia në Bullgari, Serafov: Gabimi ishte i shoferit, ka lëvizur me shpejtësi të madhe

Shpejtësia e autobusit Besa Trans në autostradën Struma në Bullgari ishte ndoshta e papërshtatshme për kushtet e rrugës, pasi natën që autobusi mori flakë dhe vdiqën 45 persona, ka rënë shi dhe rruga ka qenë me lagështi, shkruan Alsat.

Kështu ka deklaruar prokurori dhe shefi i Shërbimit Hetimor Nacional Bullgar, Borisllav Sarafov për BNT. Sipas tij, autobusi lëvizte me shpejtësi më shumë se 90 kilometra në orë.

“Në asnjë rast nuk ka lidhje shkak-pasojë mes fatkeqësisë dhe sinjalistikës së dobët rrugore. Kjo ia lehtëson pozicionin shoferit deri diku, por në çdo rast ai duhet të jetë i kujdesshëm, të ngasë me shpejtësi të përshtatshme dhe të jetë më i përqendruar”, deklaroi Boris Sarafov, Prokuror dhe Shef i Shërbimit Hetimor, Bullgari.

Hetimet për mënyrën sesi ka ndodhur aksidenti po i afrohen fundit. Organet hetimore bullgare janë ende në pritje të rezultateve të ekspertizës, mjekësisë ligjore, asaj teknike, por edhe ekspertizën për zjarrin. Këto raporte prokurori Sarafov i pret edhe para Vitit të Ri. Nga ana tjetër, edhe prokuroria e Maqedonisë po mbledh dokumente. Priten raporte nga Drejtoria e Doganove, për atë se si autobusi i “Besa Transit” është lëshuar mbi 100 herë në kufi pa leje për transport të udhëtarëve. Analizohen edhe dokumentet që shërbimi mjeko-ligjor, me urdhër të Prokurorisë Publike i kanë marrë nga kompania transportuese “Besa Trans”.

“Lënda që ka të bëjë me funksionimin e subjektit juridik- organizuesit të udhëtimit si dhe veprimi i organeve të tjera kompetente, është në fazë të procedurës para- hetimore në suazat e të cilës në mënyrë intensive po merren veprime për vërtetimin e fakteve dhe përgjegjësisë eventuale penale. Por, që mos ta dëmtojë vet procedurën, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë detaje për veprimet e marra”, njoftojnë nga Prokuroria.

Aksidenti i autobusit ndodhi në orët e para të mëngjesit të 23 nëntorit. Hetuesit bullgarë kanë konstatuar deri më tani se autobusi për arsye të panjohura fillimisht ka goditur bankinën e djathtë, që e ndan rrugën me vendin e pushimit. Më pas autobusi ka shkuar në të majtë dhe ka goditur bankinën e mesme, ku ka lëvizur një kohë të shkurtër dhe ka ndaluar. Nga goditjet është shpuar rezervuari i karburantit, më pas ka shpërthyer zjarri dhe autobusi ka mbetur i bllokuar mes bankinës së mesme të autostradës “Struma”. Në atë moment dyert e autobusit nuk kanë mundur të hapen. Nga aksidenti humbën jetën 45 persona, mes të cilëve 12 fëmijë kurse 7 rezultuan të lënduar./Alsat.mk