Hamasi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të ndërmarrë veprime urgjente” duke tërhequr vëmendjen mbi katastrofën humanitare në thellim në Rripin e Gazës, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të Izraelit pavarësisht armëpushimit.
Në një deklaratë me shkrim, Hamasi thekson nevojën që komuniteti ndërkombëtar, vendet rajonale të ndërmarrin veprime për t’i dhënë menjëherë fund krizës humanitare që rëndohet gjithnjë e më shumë në Gazë.
“Populli i Gazës është privuar nga qasja në ushqim, ilaçe, ujë të pastër, tenda dhe strehim për shkak të gjenocidit dyvjeçar dhe se sistemi i kujdesit shëndetësor është pothuajse plotësisht i shkatërruar. Kushtet e dimrit dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë përkeqësuar kërcënimin për civilët dhe se pushtuesi izraelit është përgjegjës për shkeljen e marrëveshjes, vazhdimin e sulmeve të tij dhe pengimin e rrjedhës së ndihmës humanitare.”, – thuhet në komunikatën e Hamasit.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se eliminoi një “terrorist të Hezbollahut”, siç e cilësoi, në jug të Libanit.
Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se forcat izraelite nën komandën e Divizionit 91 dhe me mbështetjen e Forcave Ajrore, kryen një sulm që çoi në neutralizimin e terroristit Mohamad Ali Sweih, anëtar i organizatës terroriste Hezbollah.
Pavarësisht armëpushimit të nënshkruar në nëntor 2024, pas më shumë se një viti luftimesh me Hezbollahun, Izraeli vazhdon të kryejë sulme të përditshme në Liban, duke pretenduar se godet milicinë shiite pro-iraniane, të cilën e akuzon për përpjekje riarmatosjeje. (Fitim Kryeziu, TVM2)

