Kreu i PDSH, Menduh Thaçi, ka reaguar ashpër ndaj protestave të studentëve për mungesën e mundësisë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke i cilësuar ato si manipulim politik.
Thaçi në emisionin podcast “FOL”, në TV Festa në Kumanovë, deklaroi se, megjithëse studentët mund të kenë të drejtë dhe mund të përkrahen, mënyra e organizimit të këtyre protestave përbën, sipas tij, “formën më perfide të legjitimimit të dështimeve” të BDI, transmeton Zhurnal.mk.
Ai shtoi se kjo qasje është mashtrim ndaj opinionit publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke e krahasuar situatën me periudha të vjetra kur shqiptarët kërkonin të drejta minimale.
Sipas Thaçit, është e papranueshme që në shekullin XXI të kërkohet ende zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se partia e tij nuk mbështet qasje të tilla.
Ai gjithashtu ngriti dyshime për përfshirje të faktorëve të ndryshëm politikë, por theksoi se qëndrimi i tij bazohet në përvojën politike personale.


