Teuta Arifi: Para 30 viteve votova për Iliridën, por …!
NJË FJALË PËR UNIONET
Shkruan: Teuta Arifi
Nacionalizmi ka mundësi të jetë forcë destruktive atëherë kur promovon jotolerancë dhe ndarje. Por njëkohësisht ka mundësi të jetë forcë pozitive atëherë kur i duhet të mbrojë autonominë lokale kundër homogjenizimit të forcave të entiteteteve më të mëdha – do të deklarojë me një rast Maksim Bernie, udhëheqës i Partisë Popullore, deputet dhe ministër në disa nga qeveritë në Kanada, shtet ky me një eksperiencë të jashtëzakonshme në autononominë gjuhësore dhe territoriale.
Dhe kjo temë e bashkësisë së komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut apo një formë autonomie u bë këto ditë temë diskutimi si rezultat i procesit bisedues mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku si temë qendrore është Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dhe siç ndodh zakonisht debati u fokusua tek personi i cili shtroi këtë ide, u fokusua tek prapavijat dhe prapaskenat politike, degjuam deklarime që përplaseshin si topi i ping-pongut në rrjetë, por jo ama edhe thellësinë politike dhe strategjike që bart në vehte çdo deklarim për autonominë si një koncept politik dhe shoqëror.
Tridhjetë vite më parë kam votuar për autonominë politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, referendum ky i organizuar nga partitë politike shqiptare të asaj kohe si një përgjigje e vullnetit politik të shqiptarëve ndaj majorizimit që i bëhej këtij vullneti politik në parlamentin e atëhershëm duke u mbivotuar nga shumica maqedonase cilidoqoftë propozim që përmbante edhe më të voglën kërkesë etnike, kulturore apo gjuhësore shqiptare. Kështu që ky referendum mbante në vete deklarimin për autonomi, por pa përcaktuar edhe territorin në të cilin do të shtrihej apo funksiononte kjo autonomi. Prandaj edhe çështja e autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve në këtë vend nuk shkoi përtej këtij deklarimi të vullnetit politik për një arësye: shqiptarët në Maqedoni nuk kanë pasur vija të përcaktuara territoriale sipas vullnetit të tyre brenda të cilave kanë ushtruar pushtet, vija këto të cilat do ishin përcaktues territorialë të autonomisë së tyre.
Çështja shqiptare në RMV në tavolinë bisedimesh erdhi si rezultat i luftës së vitit 2001 dhe gjatë procesit të Ohrit hapi pikërisht temën kryesore të garantimit institucional të vullnetit politik shqiptar me shumicën e dyfishtë në parlament dhe zhvillimin e barabartë territoral me pjesët e Marrëveshjes së Ohrit që përfshijnë komunat dhe finansimin e tyre. Dhe para fillimit të bisedimeve ishte Akademia e Shkencave në Maqedoni ajo e cila ofroi propozimin e shkruar për ndarje territoriale si marrëveshje për përfundimin e luftës, sipas të cilës Tetova, Gostivari e Dibra do i jepeshin Shqipërisë, zona e Likovës do i takonte Kosovës dhe do bëhej këmbimi i popullatës sipas përkatësisë etnike. Propozim që u pranua nga kryeministri i atëhershëm Georgievski, por jo edhe nga përfaqësuesit politikë të UÇK-së.
Pas 20 vitesh të funksinimit të Marrëveshjes së Ohrit jam shumë e vetëdijshme për problemet funksionale në nivel qendror dhe lokal. Ashtu si që jam e bindur se është shumë e madhe rezistenca e pushtetit qendror ndaj fuqizimit real të komunave. Në udhëheqjen e një komune jeni i varur nga pushteti qendror edhe për një plan më të thjeshtë urbanistik, edhe për një projekt infrastrukuror e të mos diskutojmë që ju duhet të ekzistoni me 6% TVSH në kohëra krizash e hallesh të ndryshme.
Por, a është zgjidhja për ne dhe problemet që kemi këtu modeli Serb i komunave me shumicë serbe në Kosovë? Jam e bindur që jo. Për një arësye të thjeshtë, sepse ka një dallim të thellë e konceptual ndërmjet koncepcioneve serbe dhe shqiptare për çeshtjet etnike në Ballkan. Sepse luftërat serbe në Ballkan ishin luftëra për territore të huaja, luftëra pushtuese duke përfshirë edhe spastrimet e dhunshme etnike, ndërkohë që luftërat shqiptare ishin çlirimtare dhe me qëllim të mbrojtjes së vendeve ku jetonim dhe të drejtat që duhej ti gëzonim. Koncepcionet serbe ishin ato të eksklusivitetit, pra të serbëve që u duhet të jetojnë vetëm sepse ndryshe as që duan, ndërkohë që koncepcionet shqiptare kanë kërkuar dhe promovuar inkluzionin si formë të bashkëjetesës mes të barabartëve.
Këto koncepcione serbe kanë pasur për rezultat territore për të cilat kanë llogaritur në njohjen e tyre nga faktorët ndërkombëtarë si fait accomplie-një çështje e mbaruar. Të tilla janë edhe këto komuna në Kosovë, të cilat nuk kanë tentuar ndonjëherë të jenë funksionale brenda shtetit të Kosovës, nuk kanë lobuar për projekte nga qeveria e Kosovës, nuk kanë pasur kërkesa për mjete nga qeveria e Kosovës, por kanë mbetur peng i Serbisë e cila i ka mbajtur për ti vënë në pazar në ato ditë kur do ngushtohet rrethi dhe do duhet patjetërsisht ti bëjë marrëveshtjet të cilave nuk u ik dot.
Kështu që komunat me shumicë serbe në Kosovë mund të jenë peng i koncepcioneve etnike serbe, por komunat tona shqiptare nuk mund të jenë peng i këtyre politikave. Sepse nuk janë modelet serbe ato që do ndjekim ne në zgjidhjen e problemeve që kemi, por janë institucionet tona që kanë lindur si rezultat i bashkëveprimeve tona. Një institucion i tillë është Unioni I bashkive Shqiptare i cili u themelua në Tiranë, programi iu dakordua në Prishtinë kurse institucionalisht procesi i firmosjes dhe regjistrimit u bë në Tetovë. Institucion i cili ka sekretariatin dhe organet e veta ekzekutive dhe ka qëllim bashkëpunimin institucional komunal dhe projeket e përbashkëta zhvillimore, ekonomike, arsimore e kulturore.
Debati mbi ide të ndyshme mbetet gjithnjë i vlefshëm, por akoma më e vlefshme është që çështjet tona të mos i shtrojmë si reaksion i aktiviteteve të të tjerëve, por si ide dhe zgjidhje tonat dhe që lidhen me interesat tona kolektive si komb me përcaktime dhe orientime të qarta dhe të sakta euro-atlantike. Apo siç do na mësonte Kanti, mos japim mendime pa përmbajtje, apo intuitë pa koncepte.