May 2, 2024
Diaspora

Kuzhinieri shqiptar, shef në restorantin më të mirë në SHBA

Ned Musliaka është djali i ikonës së kulinarisë shqiptare, Gëzim Musliaka, i cili duket se ka vendosur të ndjekë gjurmët e të atit. Ai është vetëm 21 vjeç dhe ka kryer studimet në një universitet të rëndësishëm në Francë. Ndërkohë, që tani jeton në SHBA dhe është pjesë e një prej restoranteve me 3 yje më të njohur në botë me emrin Alinea.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Ned ka treguar të gjithë historinë e tij se si nisi kulinarinë, duke vlerësuar shumë edhe ndihmën e të atit. Ai theksoi se fillimisht ishte shumë i dytëzuar nëse duhet ta zgjidhte këtë profesion, pasi në Shqipëri nuk është shumë i vlerësuar.

“Të pasurit babain shef për mua nuk ka qenë frikë, ka qenë më shumë inspirim. Kam bërë shkollën e kulinarisë në Lion të Francës, është e vetmja shkollë kulinarie në Francë që njihet nga shteti si universitet, një nga të paktat në botë. Ka shumë fusha në shkollë që studioj dhe duhet të bazohem, nuk është thjesht që po shkoj në shkollë dhe po bëj disa receta. Është diçka që babi është inxhinier dhe është diçka që nuk e ka ushtruar shumë. Kështu për mua në një farë mënyre tha që nqf se ke dëshirë ta zgjedhësh këtë lloj profesioni, ai dha një lloj mbështetje, të cilën e vlerësoj shumë. Edhe në ato momente si akoma i ri që isha thash kjo është diçka që e njoh, që më pëlqen, pse jo mos të bëhem më i mirë në këtë profesion.

Isha i dytëzuar për të zgjedhur një degë tjetër, sidomos në Shqipëri ku kulinaria nuk vlerësohet, mendova do zgjidhja arkitekturë ose dizanj, diçka që është më në atë bazën artistike që gjithmonë më ka pëlqyer. Nuk e mendoja që do të ishte kuzhina”, u shpreh Ned.

Më tej, ai tregoi se nuk ka për të harruar kurrë fillimet kur ishte i vogël dhe ndihmonte gjyshen me gatimet në shtëpi.

“Kur isha i vogël, gjyshet fillonin bënin ndonjë gjë të vogël për ne, bënin ndonjë kulaç apo ndonjë supë apo diçka të thjeshtë. Unë isha aty duke e ndihmuar, apo duke shtypur brumin, apo duke bërë diçka për t’i dhënë një dorë. Isha i emocionuar, se aty janë fillimet e mia”, tha i riu./abcnews.al