Në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur online dje në orët e vona të pasdites, Këshilli i Komunës së Tetovës, me shumicë votash, miratoi Programin për dekorimin festiv të qytetit për festat e ardhshme të Vitit të Ri. Për këtë qëllim, Komuna ka ndarë 1.500.000 denarë, ose rreth 25.000 euro. Ky program paraqet ndryshim dhe plotësim të Programit të aktiviteteve të Komunës së Tetovës në fushën e kulturës për vitin 2025, transmeton Portalb.mk.

“Për këtë program votuan këshilltarët e shumicës, të përbërë nga Koalicioni VLEN dhe VMRO-DPMNE, ndërsa kundër ishin këshilltarët e koalicionit AKI. Të përmbajtur votuan këshilltarët nga ‘Më mirë për Tetovën’, “E Majta” dhe LSDM. Me këtë vendim, Komuna e Tetovës konfirmon synimin që qyteti të marrë një shkëlqim festiv në fund të vitit 2025”, njoftoi kryetari i Këshillit, Jusuf Abduli.

Në vitet e fundit të mandatit të dytë të ish-kryetares së komunës, Teuta Arifi, si dhe gjatë gjithë mandatit të parë të kryetarit aktual, Bilall Kasami, rrugët dhe sheshi i qytetit nuk janë dekoruar për festat e fundvitit, me të njëjtin arsyetim se komuna nuk kishte mjete financiare për këtë qëllim.

sqShqip