Gjendja shëndetësore e 19-vjeçares, e cila një natë më parë ra nga ballkoni i katit të tretë të pallatit ku jetonte në Tetovë, është e qëndrueshme, por ka pësuar lëndime të rënda në boshtin kurrizor, raporton Alsat-M.

Ndërkohë, ekipet e policisë dhe të prokurorisë kanë hyrë në banesë me ndihmën e zjarrfikësve për të kryer ekspertizë.

“Ne morëm thirrje nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës dhe kur dolëm në vendngjarje, kuptuam se policisë dhe prokurorisë iu duhen shkallë të gjata për të depërtuar tek banesa, sepse ballkoni ishte i mbyllur nga jashtë dhe ne bëmë intervenimin tonë”, deklaroi Avni Ameti, Shef i NJTKZ Tetovë.

Rasti u konfirmua edhe nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës.

“Rreth ore 19:40 ne SPB-Tetovë nga ndihma e shpejtë është lajmëruar se ka rënë një vajzë nga ballkoni dhe e njëjta menjëherë është dërguar në Spitalin klinik në Shkup, ndërsa ekipet e SPB-Tetovë kanë dalë në vend ngjarje dhe po bëjnë hetim”, thanë nga SPB Tetovë.
Edhe prokuroria thotë se po punon për zbardhjen e rastit.

sqShqip