Tetova do të jetë nikoqire e mbledhjes së Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ku për herë të parë në këtë qytet do të mbahet takimi i Këshillit Drejtues dhe Asamblesë së këtij unioni.
Zëvendëskryetari i Tetovës, Albi Qamili, bëri të ditur se nikoqir i kësaj ngjarje është kryetari i komunës, Bilall Kasami, ndërsa do të trajtohen një sërë çështjesh me rëndësi për komunat shqiptare.
“Nesër Tetova dhe kryetari Bilall Kasami do të jenë nikoqirë të Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, ku për herë të parë në Tetovë do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues dhe Asamblesë së këtij unioni. Në këtë mbledhje do të diskutohen shumë pika të rëndësishme, projektet e përbashkëta, ndërkufitare dhe evropiane. Është nder që Tetova pret këtë Union dhe shpresojmë që të dalin shumë projekte me rëndësi për komunat shqiptare”, deklaroi Qamili.
Ai theksoi se organizimi i këtij takimi në Tetovë përbën një mundësi të mirë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave shqiptare në rajon dhe për avancimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore./

