May 1, 2024
Kolumna

Tetova ka nevojë të lirohet, e jo të vajtohet!

Dy fjalë për tragjedinë e fundit në Tetovë

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Përderisa pushteti mundohet të gjejë njëmijë arsyetime për mbulimin e këtij krimi, që fatkeqësisht nuk është i pari dhe nuk besoj se do të jetë i fundit edhe për një kohë;

Përderisa nga të katër anët e botës, sidomos nga banorët e Tetovës të shpërndarë si zogjtë e qyqes në të katër anët e botës bëhen lutje për shpirtin e viktimave të pafajshme dhe vazhdojnë ngushëllimet për familjet e viktimave dhe të lënduarve në këtë tragjedi;

Përderisa politika, në pushtet dhe opozitë, mundohet të nxjerrë përfitime edhe nga tragjeditë e njerëzve, të familjeve dhe banorëve të qytetit të Tetovës dhe të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në këtë rast, por në vazhdimësi;

Përderisa fajtorët kryesorë të kësaj dhe shumë tragjedive të tjera mbi shqiptarët dhe qytetarët tjerë të këtij vendi, me ndihmën e pushtetit po mundohet t’i fshehin gjurmët e krimit, faji sigurisht se bie mbi të gjithë ne, që është dashur ta parandalojmë këtë tragjedi dhe shumë tragjedi të mëparshme, me viktima e dhimbje, me shumë pasoja për familjet dhe të gjithë banorët e Tetovës dhe jo vetëm;

Me këtë rast, secili prej nesh duhet ta mbajë barën e fajit kolektiv, pse kemi heshtur, nuk kemi mundur dhe ditur ta mbrojmë veten, familjet, shëndetin e qytetarëve dhe të drejtën më elementare njerëzore, të drejtën për jetë, lirinë, sigurinë dhe dinjitetin tonë, të kërcënuara gjatë kohë nga bandat e organizuara kriminale, fatkeqësisht tanimë të ngritura edhe në pushtet, në të gjitha nivelet dhe segmentetet e tij, si një merimangë e zeze që mbjell vdekje dhe e kërcënon pandalur të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave të ardhshëm, jo vetëm në qytetin e Tetovës por edhe gjithandej në trojet tjera shqiptare.

MOS VAJTONI PËR TETOVËN, SEPSE AJO KA KOHË QË VAJTON PËR NE, ME DJEPE E ME VARRE!

TETOVA DHE SHUMË QYTETE E VENDBANIME TË TË TJERA PËRRETH NË RAJONIN MË TË GJERË, KANË NEVOJË TË LIROHEN NGA KTHETRAT E KRIMIT DHE BANDAT VRASËSE NË PUSHTET DHE AFËR TIJ!

TETOVËN DHE PLAGËT E SAJ KU T’I PREKNI KULLOJNË GJAK!

TETOVA KA NEVOJË TË LIROHET, JO TË VAJTOHET, QË TË MOS I PËRSËRITEN TRAGJEDITË PA MBARIM!

(9 shtator 2021)