Maqedoni

Tërnava: Stop ikjes së rinisë, dhunës në familje, divorceve e mortalitetit

Në Kosovë xhamitë janë mbushur me qytetarët, të cilët u mblodhën për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Programi qendror në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa hutben e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme për muslimanët.

“Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, besimtarët anë e mbanë botës presin kurban. Qëllimi i prerjes së kurbanit është afrimi edhe më i madh tek Zoti xh.sh. Duke rikujtuar dhe përmendur në vazhdimësi emrin e Allahut, Zoti xh.sh thotë: Ne vërtetë të dhamë ty shumë të mira, andaj falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd”, tha Tërnava.

Myftiu Tërnava ka shprehur shqetësimin e tij edhe për ikjen e rinisë nga Kosova, dukurinë e dhunës në familje, si dhe për rritjen e numrit të divorceve dhe rënien e lindjeve.

Me rastin e ditës së parë të Kurban Bajramit, kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) do të pres në selinë e saj udhëheqësit e institucioneve të larta dhe mysafirë të tjerë.