Teravia të falet në shpi, namazet tjera mundësisht jashtë xhamisë
Myftinia e Shkupit ka mbajtur sot mbledhje, dhe në kuadër të saj, ka sjellë edhe vendim për organizimin e xhamive gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në vendimet e miratuara, parashihet që taravitët të falen në shtëpi, të mos ketë namaz nate dhe të mos organizohen iftare në xhami.
Kjo siç sqarojnë nga Myftinia e Shkupit, do të vlejë derisa është në fuqi masa e kufizimit të lëvizjes – ora policore.
Më poshtë TV21 ua sjell të gjitha vendimet e Myftinisë së Shkupit për organizimin e xhamive përgjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit.
1. Dita e parë e agjërimit për vitin 2021 fillon më 13.04.2021 (e martë).
2. Ezani i sabahut thirret 30 min. pas imsakut.
3. Namazi i teravisë të falet në shtëpi dhe jo në xhami derisa të largohet kufizimi i lëvizjes.
4. Sipas mundësisë, të shfrytëzohen hapësirat e jashtme të xhamisë për faljen e namazeve.
5. Sipas mundësive ligjeratat të mbahen „online“ për shkak të rrethanave.
6. Nuk organizohen aktivitete shtesë gjatë muajit të Ramazanit si; tribuna fetare, mbrëmje Kuranore etj.
7. Nuk lejohet organizimi i iftareve nëpër xhami.
8. Gjatë Ramazanit nuk do të ketë namaz nate për shkak të pandemisë.
9. Të angazhohen vaizët në tubimin e Zeqatit dhe Sadekatul Fitrit, si amaneti ynë i përbashkët për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore fetare Medresenë Isa Beu dhe Fakultetin e Shkencave Islame.
10. Këshilli i xhamisë të dorëzojë kërkesë me shkrim për angazhim të studentëve dhe medresantëve si dhe t’i respektojnë ata përgjatë kryerjes së detyrës në xhamitë përkatëse.