Shkruan: Nefail Emini
Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Venezuelës po përjetojnë një përkeqësim të vazhdueshëm, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një përshkallëzimi që potencialisht mund të shndërrohet në konfrontim ushtarak. Ky zhvillim pasqyrohet në rritjen e prezencës ushtarake amerikane në rajon, si dhe në shtimin e gatishmërisë ushtarake të Venezuelës. Një konflikt i mundshëm do të prodhonte pasoja të thella gjeopolitike për Amerikën Latine, njëkohësisht duke gjeneruar implikime të rëndësishme për sistemin ndërkombëtar. Në këtë kontekst, pyetja qendrore është: përse Uashingtoni ka zgjedhur pikërisisht në këtë moment të ashpërsojë retorikën dhe të intensifikojë presionin ushtarak ndaj regjimit në Venezuelë? Përgjigjja shpesh lidhet me perceptimin amerikan se Venezuela ka shkelur parime të ndjeshme të Doktrinës Monroe, një vijë e kuqe historikisht e pa negociueshme për politikën e jashtme të SHBA-ve.
Rezervat e naftës së Venezuelës
Venezuela renditet si vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, me rreth 303 miliardë fuçi, duke e pozicionuar si një aktor energjetik të jashtëzakonshëm. Këto rezerva janë kryesisht të përqendruara në Rripin Orinoko, një rajon prej rreth 55,000 kilometrash katrorë në pjesën lindore të vendit. Çmimi i benzinës në Venezuelë mbetet ndër më të ulëtit globalisht, me rreth 0.04 dollarë për litër. Gjatë viteve ’90, mbi 90% e eksporteve venezuelase përbëheshin nga hidrokarburet, duke i dhënë vendit epitetin “Venezuela Saudite”. Ndërsa në vitin 1998 prodhimi ditor arrinte në rreth 3 milionë fuçi, projeksionet aktuale e vendosin prodhimin rreth 800 mijë fuçi në ditë. Një konflikt ushtarak do të kishte potencialin të destabilizonte tregjet globale të energjisë, veçanërisht për shkak të karakteristikave të naftës venezuelase, e cila përmban nivele të larta acidi të domosdoshme për prodhimin e derivateve të naftës. Në muajin e fundit, rreth 84% e prodhimit total të naftës venezuelase është eksportuar drejt Kinës, drejtpërdrejt ose përmes kanaleve të tërthorta, duke ilustruar varësinë e ndërsjellë energjetike dhe potencialin e lartë të ndikimit që një konflikt do të kishte mbi interesat strategjike të Pekinit.
Evolucioni politik i Venezuelës dhe gjeopolitika rajonale
Deri në fund të viteve ’90, Venezuela konsiderohej si një prej aleatëve më të rëndësishëm të SHBA-ve në hemisferën perëndimore. Megjithatë, ardhja në pushtet e Hugo Çavezit në vitin 1998 ndryshoi rrënjësisht orientimin politik të vendit. Politika e tij konfrontuese ndaj Uashingtonit vazhdon edhe nën drejtimin e Nicolás Maduros. Venezuela ka luajtur rol kyç në nisma rajonale si Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), themeluar në vitin 2011, i cili synon të krijojë një alternativë ndaj Organizatës së Shteteve Amerikane. Po ashtu, Aleanca Bolivariane për Popujt e Amerikës Sonë (ALBA–TCP), e ngritur në vitin 2004 në bashkëpunim me Kubën, synon integrimin politik dhe ekonomik rajonal jashtë ndikimit të SHBA-ve. Përpjekja e Venezuelës për të promovuar një rend ndërkombëtar multipolar, refuzimi i saj ndaj dominimit amerikan dhe përpjekja për të reduktuar varësinë nga dollari në tregtinë e hidrokarbureve kanë prodhuar tensione të vazhdueshme me Uashingtonin.
Rrezikimi i Doktrinës Monroe
Doktrina Monroe, e artikuluar nga Presidenti James Monroe më 2 dhjetor 1823, sanksionon se çdo ndërhyrje e fuqive të jashtme në çështjet politike të hemisferës perëndimore përbën akt armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara. Për më shumë se dy shekuj, kjo doktrinë ka mbetur bazë e politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane. SHBA-të kanë demonstruar në mënyrë të përsëritur se janë të gatshme ta mbrojnë këtë parim, siç dëshmohet në rastin e Krizës së Raketave në Kubë në vitin 1962. Disa analistë argumentojnë se situata aktuale në Karaibe paraqet paralele të caktuara me atë krizë historike. Strategu Alfred Thayer Mahan, në veprën e tij të njohur “Ndikimi i Fuqisë Detare mbi Historinë”, e cilëson Detin e Karaibeve si zonë thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane dhe për kontrollin e rrugëve detare në hemisferën perëndimore—aftësi e perceptuar si thelbësore edhe në kontekstin e sotëm bashkëkohor.
Afrimi me Kinën, Rusinë dhe Iranin si sfidë për SHBA-të
Gjatë dekadës së fundit, Venezuela është afruar ndjeshëm me tri fuqitë që SHBA-të i konsiderojnë rivalë strategjikë: Kinën, Rusinë dhe Iranin. Karakasi u ka kërkuar hapur ndihmë këtyre shteteve në adresimin e tensioneve të tanishme me Uashingtonin. Që nga përfshirja e saj në nismën kineze “Një Brez, Një Rrugë” në vitin 2018, bashkëpunimi ekonomik dhe teknologjik me Pekinin është thelluar, përfshirë sektorët strategjikë të energjisë, infrastrukturës dhe telekomunikacionit. Për Kinën, prania në Karaibe paraqet mundësi për të balancuar aleancat e SHBA-ve në Indo-Paqësor, ku vendet si Japonia dhe Tajvani mbështesin rëndësisht arkitekturën e sigurisë së Uashingtonit. Përmes kësaj lëvizje Kina po synon që të futet në thellësinë strategjike të SHBA-ve duke e vendosur në pikëpytje të ardhmen e një prej Doktrinave më të rëndësishme në strategjinë e Uashingtonit dhe në të njejtën kohë duke defokusuar vëmendjen e saj nga zhvillimet në Azinë Juglindore.
Rusia, e cila ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Venezuelën që nga periudha e Çavezit, është një furnizues kryesor i armëve dhe mbështetjes teknike ushtarake për Karakasin. Ky pozicion i ofron Moskës një instrument të rëndësishëm për avancimin e interesave të saj gjeopolitike, veçanërisht në kontekstin e konfliktit ruso-ukrainas, duke i mundësuar potencialisht të ushtrojë presion ndaj SHBA-ve në hemisferën perëndimore.
Irani, nga ana tjetër, ka zgjeruar ndjeshëm praninë e tij në Venezuelë që nga viti 2020. Të dy vendet kanë bashkëpunuar për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, duke përfshirë prodhimin e dronëve Ansu-100 dhe Ansu-200 në Baza Ajrore Libertador, të cilët bazohen në teknologjinë e dronëve Shahed të Iranit.
Nëse kjo situatë do të marrë zgjidhje përmes mjeteve diplomatike apo përmes konfrontimit, mbetet një çështje e hapur që pritet të qartësohet në zhvillimet e ditëve dhe javëve të ardhshme.

