Viteve të fundit, te të rinjtë është rritur dukshëm interesi për njohjen e gjuhës angleze. Dibranët kërkojnë organizimin e kurseve për mësimin e kësaj gjuhe, por njëkohësisht gjejnë edhe mënyra të tjera, sidomos përmes rrjeteve sociale, për ta mësuar gjuhën që garanton punësim. Në Dibër, me të drejtë thuhet se ai që e njeh anglishten pa probleme, siguron edhe punë.

Të gjitha “call-qendrat” që funksionojnë në qytet, e që janë të shumta, pranojnë punëtorë të rinj në mënyrë të vazhdueshme. Kohëve të fundit, një numër i theksuar i të rinjve punon për kompani të ndryshme botërore nga shtëpia. Për këtë shkak, interesi i rinisë dibrane për ta mësuar këtë gjuhë botërore është shumë i madh. Por anglishten kërkojnë ta mësojnë edhe të moshuarit, pasi kjo gjuhë sot përdoret edhe nga nipërit dhe mbesat e tyre që jetojnë në SHBA, ku sipas të dhënave jetojnë mbi 18 mijë dibranë.

Kompania e njohur amerikane “Slice”, në pronësi të dibranit nga SHBA Ilir Sela, ka një degë edhe në Dibër. Ajo mban emrin “Slice Macedonia” dhe punëson mbi 300 të rinj në Dibër, ndërsa numri i të punësuarve në qytete të tjera të vendit është edhe më i madh. “Punoj në ‘Slice’ prej disa vitesh dhe jam shumë e kënaqur me pagesën mujore. Këtu ka shumë të rinj që e njohin anglishten dhe punojnë pa probleme”, na thotë një punëtore e kësaj kompanie me seli në Dibër, e cila dëshironte të mbetej anonime.

Bordi drejtues i kompanisë vazhdimisht punëson të rinj që e njohin anglishten dhe shpesh organizon edhe kurse për përvetësimin e kësaj gjuhe, e cila garanton punësim. Edhe disa call qendra më të vogla që funksionojnë në Dibër për tregun amerikan punësojnë shpesh të rinj që e njohin gjuhën angleze. Pronarët e këtyre qendrave theksojnë se të rinjtë dibranë, në pjesën më të madhe, e njohin këtë gjuhë.

R. F. është një i ri i angazhuar në njërën nga këto qendra. “Ai që dëshiron të punojë dhe e njeh anglishten, në Dibër nuk ka problem për t’u punësuar”, thotë ai. Ai shton se është gjimnazist, punon me orar të përcaktuar dhe siguron të ardhura.

Në Dibër ka edhe një numër të konsiderueshëm të rinjsh që punojnë nga shtëpia. E. M., një i ri 29-vjeçar, na thotë se mesatarisht siguron rreth 1000 dollarë në muaj. Sipas tij, punon tetë orë nga shtëpia për një kompani të huaj dhe është i kënaqur me punën. “Kam pritur punë gjashtë vite dhe, si i ri me fakultet, isha i detyruar ta pranoja këtë mënyrë pune. Duhet të them se më ndihmoi shumë njohja e gjuhës”, thotë ai.

Gjuha angleze ndiqet dhe mësohet me interes të madh edhe në arsimin fillor dhe të mesëm në Dibër. Profesorët e gjuhës theksojnë se interesi i nxënësve është i madh. Po ashtu, vihet re edhe rritja e numrit të studentëve që studiojnë gjuhë të huaja, respektivisht gjuhën angleze. Kur flasim për angazhimin për ta mësuar këtë gjuhë, duhet theksuar edhe fakti se shumë dibranë e mësojnë anglishten përmes kurseve online dhe rrjeteve sociale. Megjithatë, edhe pse ka interes për hapjen e kurseve në institucionet kompetente, aktualisht në Dibër nuk funksionon asnjë kurs i tillë. (koha.mk)

sqShqip