Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” – Shkup dhe kompanive degë “Florakom” dhe “Luna” protestuan nga ora 08:00 deri në orën 11:00 të mëngjesit dhe bllokuan kryqëzimin përpara Kopshtit Zoologjik – Shkup dhe bulevardin “Ilinden”.

Ata shprehën indinjatën e tyre për pagën e papaguar për muajin shtator. Nga sindikata thonë se për fat të keq nuk kanë mundur të kontaktojnë me menaxhmentin e NP “Parqe dhe Gjelbërim”, përkatësisht me drejtorin, dhe për këtë arsye janë detyruar të bllokojnë rrugët.

“Protesta më herët ka qenë e qetë, ndërsa sot është dita e fundit. Kryesia e organizatës sindikale do të mbajë mbledhje dhe do të vendosë për hapat e mëtutjeshme. Nga dita e nesërme mund të ketë protestë. I drejtohemi Ministrisë së Ekonomisë që të gjejnë person të negociatave. Ne do ta gjejmë personin tonë si propozim, me qëllim që t’i tejkalojmë problemet në këtë ndërmarrje.”, – deklaroi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore, Goran Risteski.

“Kemi probleme të shumta në këtë ndërmarrje. Ende nuk kemi marrë paga dhe ende nuk ka as paralajmërim për marrjen e pagës. Dëshirojmë që të zgjidhen problemet dhe po tentojmë, megjithatë vështirë po shkon.”, – theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur “Parqe dhe Gjelbërim”, Atanas Gjorgjievski.

Sindikata tashmë ka paraqitur raporte në Inspektoratin Shtetëror të Punës, si dhe kallëzime penale kundër drejtorit për mospagesë të K-15 dhe njoftojnë se do të vazhdojnë me padi individuale nga punonjësit për të gjitha kërkesat e papaguara. (VLORA LATIFI TOPOJANI, TVM2)

sqShqip