Maqedoni

Të punësuarit në “Nikob” në rajonin e Likovës me rroga mizore, të papaguara, kërkojnë zgjidhje urgjente

Me rroga mizore, pa stazh të paguar dhe me vonesa të dy a tre rrogave po përballen të punësuarit e kompanisë së sigurimit “Nikob” në rajonin e komunës së Likovës.

Siç mëson INA, me këtë problem dhe shqetësim po përballen rreth 20 të punësuar të kësaj kompanie në komunën e Likovës.

“Në muaj paguhen veç 15 mijë denarë dhe kjo nuk arrin as pagën minimale. Ma shumë se 2 vite nuk u paguhet stazhi i punës. Dy deri tre rroga janë minus”, thonë për INA familjarë të këtyre të punësuarve.

Sipas tyre, premtimet janë çdo muaj se do ketë zgjidhje, por asgjë. Zotime janë bërë edhe kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi, por nuk është bërë asnjë zgjidhje.

“Firma i drejton ata tek kryetari i komunës, por prap nuj ka asgjë. A jetohet me 15 mijë denarë, edhe ato jo të rregullta. Po i detyrojnë njerzit me ikë jashtë, me emigru sepse kjo është shkelje brutale e të drejtave të punëtorëve”, thonë të afërm të punësuarëve.

Lidhur me këtë problem priten përgjigje nga kompania Nikob për këto trajtime, por edhe nga kreu i komunës së Likovës, pasi që emri i tij po lakohet nga të punësuarit si faktor që mund ti ndihmojë.(INA)