May 13, 2024
Kosovë

Të lutemi sonte për Kosovën! (Video)

Skenderaj me tetë fshatra vërshohen nga uji

Shumë dëme ka shkaktuar dalja nga shtrati të lumit “Klina” në Skenderaj. Familje të shumta janë bllokuar në banesat kolektive.

Ekipet e komunë kanë dalë në teren. Amir Lushtaku, shef i Zyrës për Informim ë komunën e Skenderajt, deklaroi se situata pas vërshimeve në këtë komunë, është e rënduar, pasi reshjet e filluara nga dita e djeshme, nuk kanë pushuar për rreth 30 orë.

Ai tha se në disa fshatra situata është shumë e rënduar. Lushtaku deklaroi se kryetari i komunës, Fadil Nura, përvec që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ka krijuar edhe Shtabin Emergjent.

Lushtaku u shpreh se që nga fshati Klinë e Epërme,pastaj Klinë e Mesme e Klinë e Poshtme, pastaj në qytet, si dhe në Llaushë, Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë e deri në Açarevë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Shpresojmë të mos ketë viktima”, tha Lushtaku. Ai deklaroi se gjatë tërë ditës, janë bërë evakuime të familjeve të ndryshme.

“Situata është nën kontroll dhe familjet do të evakuohen dhe besoj se do ta menaxhojmë mirë këtë fatkeqësi natyrore”, u shpreh ai, duke shtuar se janë shpërndarë edhe pako ushqimore tek familjet që kanë nevojë.

Vërshimet në Podujevë, rreth 60 shtëpi të Pakashticës mbesin të bllokuara

Reshjet që kanë nisur dy ditë më parë në Komunën e Podujevës, kanë vërshuar fshatra e një pjesë të qytetit të Podujevës. Përveç dëmeve në infrastrukturën rrugore dhe në arat e mbjella me grurë, uji në disa vende ka depërtuar edhe në oborret e shtëpive. Rreth 60 shtëpi të fshatit Pakashticë kanë mbetur të bllokuara, pasi rruga e fshatit është vërshuar nga uji.

Të bllokuara kanë mbetur rreth 60 shtëpi të fshatit Pakashticë e Epërme të Podujevës, pasi lumi ka dalë nga shtrati dhe ka mbyllur rrugën. Kalimi në pjesën tjetër të fshatit ka qenë i pamundur me automjete të vogla. Banorët kanë thënë se kjo gjendje e rënduar është që nga mbrëmja e së mërkurës.

“Prej mbrëmë thuajse janë rritë ujërat edhe dëmet janë, lumi e ka shtratin shumë ngushtë edhe ka dalë uji nëpër oborre, nëpër ara, nëpër grunije, ka shkaktuar dëm shumë të madh. Edhe në krye të fshatit thuhet se e ka rrëzuar murin që e ka ndërtuar Komuna”, ka deklaruar Arsim Hasani.

Rritja e nivelit të ujit ka nxjerrë nga shtrati lumenj e përroska, që kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore dhe në bujqësi. Madje, në disa vende si Pakashticë, Bradash, Peran dhe në një lagje në qytet uji ka depërtuar nëpër oborre dhe është afër të hyjë edhe nëpër shtëpi.

“Po kemi problem me ujë, çështja e rekës kryesores, u bllokua prej mbeturinave e këtyre sendeve, s’po kemi qysh me ia ba zgjidhjen. Iu kisha ba apel njerëzve, së pari kryetarit me dalë me zgjerua vendin këtu ku është depërtimi i ujit”, ka thënë Arsim Hoti nga Bradashi.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se janë duke intervenuar në disa pjesë që konsiderohen problematike, për të shmangur rrezikun që mund të shkaktojë rritja e nivelit të ujit.

“Prej mbrëmë kemi qenë tërë kohën duke e përcjellë situatën në komunën tonë. Tash pothuajse jemi të njoftuar me pikat më të ndjeshme, sepse është hera e katërt që këtë vit po përballemi me vërshime dhe pjesët më të vërshuara deri tash janë fshati Pakashticë, Perani, Letanci, Bajçina, Obrança një pjesë, dhe një pjesë e qytetit”, ka thënë Bahri Selimi, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës.