Të lumtë Albin!
Nga FATON MEHMETI
Asociacioni, tema më e nxehtë me të cilën Albin Kurti do të përballet gjatë qeverisës së tij. Kjo çështje do ta sfidojë në vazhdimësi Albin Kurtin që duhet të ecë mbi tehun e thikës në takimet në Bruksel, jo vetëm me palën serbe por edhe me BE-në. Kjo e fundit, përmes të ngarkuarit të saj për politikën e jashtme, Borrell, para dy ditësh i kërkoi kryeministrit Kurti të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Një kërkesë jo si deri tani, por me tone të ashpra, sikur një mësues që qorton një nxënës problematik, të cilit paraprakisht disa herë i ka tërhequr vërejtjen.
Në anën tjetër, edhe me të drejtë, Kurti ka kundërshtuar një gjë të tillë duke u bazuar në vendimin e 31 dhjetorit të vitit 2015 të Kushtetueses, e cila një marrëveshje të tillë e vlerëson në kundërshtim me Kushtetutën.
Asociacioni në të vërtetë cenon rëndë rendin juridik në vend, ajo bën që Serbia të sundojë brenda Kosovës, pra krijohet Serbia e vogël brenda Kosovës. Kjo gjë, ashtu siç e potencoi edhe kryeministri Kurti nuk u shërben qytetarëve serbë, aq sa politikës anti shqiptare të Serbisë. Kështu që, kjo gjë është e papranueshme dhe e tillë nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë.
Ky zotëri Borrelli që thotë “E di se ka edhe marrëveshje të tjera, të cilat nuk janë zbatuar, por çështja e Asociacionit është shumë e rëndësishme”, pse qenka kaq e rëndësishme për të, ose thënë më mirë pse nuk qenka për të i rëndësishëm liberalizimi i vizave për Kosovën, për qytetarët e saj , që janë të vetmit që nuk kanë liberalizim të vizave. Me rëndësi qenka të krijohen enklava serbe brenda Kosovës, që në të vërtetë minojnë rëndë sovranitetin e Kosovës, pse qenka më pak e rëndësishëm mohimi i të drejtave të qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë.
Në këtë kuptim është për tu vlerësuar lart qëndrimi i Albinit, i cili është dashur t’ia thotë edhe këtë gjë z.Borrell, që na qenka shqetësuar kaq shumë për Asociacionin, për dëshirat e Vuçiqit.
Me shpresën që SHBA s’do rreshtohet përkrah BE-së, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes të Asociacionit, Kurti duhet të vazhdojë kundërshtimin e saj. Nëse SHBA-të bëhen palë me BE, atëherë ndryshon krejtësisht gjendja, me Kurtin që duhet të kërkojë rrugëdalje për të tejkaluar këtë problem të lënë nga ish pushtetarët e kaluar. Nëse SHBA kërkon një gjë të tillë dhe nuk ka rrugë tjetër, parashikimi im është se Albin Kurti do të jap dorëheqje, por s’do ta pranojë Asociacionin, të gjitha mundësitë janë të mundshme, ka shumë rëndësi qëndrimi i SHBA-ve në këtë proces, që edhe do të jetë përcaktues për fatin e Asociacionit, që dorën në zemër e tkurr në masë të madhe pavarësinë e Kosovës dhe si i tillë nuk na duhet.