Të dashur nxënës, mësimdhënës dhe prindër,

URIME fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026

Prof.Etem Xheladini

Sot nis gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2025/2026, një kapitull i ri në rrugëtimin arsimor të nxënësve tanë, një periudhë që sjell me vete shpresa të reja, përgjegjësi më të mëdha dhe mundësi të shumta për arritje e suksese. Ky është momenti për të reflektuar mbi atë që është bërë deri tani dhe për të vazhduar më të motivuar, më të përkushtuar dhe më të vendosur drejt qëllimeve tona.
Pas pushimit trejavor, uroj që nxënësit e ulur në bankat shkollore të mbushur me energji pozitive, me dëshirë për dije dhe me vullnet për punë. Çdo ditë mësimi është një hap drejt ndërtimit të së ardhmes, një investim i çmuar që askush nuk mund t’ua marrë nxënësve tanë. Prandaj, kjo periudhë le të shfrytëzohet maksimalisht për të mësuar, për t’u rritur intelektualisht dhe për të forcuar karakterin.
Nxënës të dashur, mos harroni se suksesi nuk vjen rastësisht. Ai ndërtohet me punë të vazhdueshme, me disiplinë, me respekt ndaj mësuesve dhe me besim në vetvete. Çdo orë mësimi, çdo detyrë e kryer dhe çdo përpjekje sot, është një hap më afër ëndrrave tuaja të nesërme. Mos u dorëzoni përballë vështirësive, sepse ato janë pjesë e rrugës drejt suksesit.
Mësimdhënës të nderuar, ju jeni shtylla kryesore e arsimit dhe udhërrëfyesit e brezave të rinj. Me përkushtimin, dijen dhe durimin tuaj, ju formoni jo vetëm nxënës të suksesshëm, por edhe qytetarë të përgjegjshëm. Për punën tuaj të palodhshme, për sakrificat dhe përkushtimin e përditshëm, ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë dhe ju uroj shumë suksese edhe në këtë gjysmëvjetor.
Prindër të dashur, roli juaj në edukimin e fëmijëve është i pazëvendësueshëm. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me mësuesit, arsimtarët dhe profesorët, mbështetja morale dhe kujdesi i përditshëm ndaj fëmijëve janë çelësi i suksesit të tyre. Vetëm së bashku, shkolla, familja dhe populli, mund të ndërtojmë një arsim cilësor dhe një të ardhme më të ndritur për brezat tanë.
Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Likovës do të vazhdojnë të jenë përkrahëse të fuqishme të arsimit, duke investuar në kushte më të mira, në zhvillimin profesional të kuadrove arsimore dhe në përkrahjen e nxënësve. Arsimi mbetet prioritet dhe themel i zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë sonë.
Në fund, nxënësve u uroj shëndet të mirë, motivim të pandalshëm dhe suksese të mëdha deri në përfundim të vitit shkollor. Le të jetë ky gjysmëvjetor një periudhë e arritjeve, e disiplinës dhe e rezultateve konkrete për të gjithë.

Suksese dhe mbarësi për të gjithë!

sqShqip