Tateshi: Zaevi tenton t’i zvarrisë dorëheqjet deri pas zgjedhjeve lokale
Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj kryeministrit Zoran Zaev, ku tha se do të presë hetimet dhe më pas do të vendosë për dorëheqjet pas tragjedisë së 8 shtatorit, ku nga zjarri në Qendrën Kovid në Tetovë humbën jetën 14 persona.
Thonë se me këtë deklaratë, Zaevi tenton t’i zvarrisë dorëheqjet deri pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor dhe se është duke ndërhyrë në hetimet për shkaqet e ngjarjes tragjike.
“Mospranimi i dorëheqjeve nga ana e kryeministrit Zoran Zaev, do të thotë mospranim i përgjegjësisë. Kjo flet edhe për moskokëçarjen e pushtetit përballë tragjedisë, mungesë të respektit ndaj 14 viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë qytetarëve që u tronditën nga ky rast. Deklaratën e kryeministrit Zaev e shohim si një tentim për të zvarritur dorëheqjet deri pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kreu i Qeverisë paralajmëroi edhe diçka më skandaloze – ndërhyrjen në hetime në Prokurori. Ai nuk ka të drejtë të konstatojë, as të kontaktojë dhe as të informohet nga hetuesit para opinionit publik. I bëjmë thirrje që sot të thërret mbledhje të Qeverisë, t’i dorëzojë dorëheqjet në Kuvend dhe Kuvendi që nesër t’i konstatojë pa asnjë vonesë”, tha Tateshi, transmeton TV21.
Vlerësojnë se “kjo kërkesë nuk do të thotë politizim i këtij rasti, siç tentojnë ta quajnë pushtetarët, por është kërkesë e qytetarëve dhe obligim ligjor”.
Dorëheqje si përgjegjësi morale deri te kryeministri Zaev kanë dorëzuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, zëvendësministri, Ilir Hasani dhe dy drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi.