Taravari takon ambasadorin bullgar në Shkup, përkrahje Korridorit 8 nga Durrësi deri në Varna
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët është takuar sot me Angel Angelov, Ambasadorin e Bullgarisë në Shkup. Në takim, siç njoftojnë nga ASH, palët janë dakorduar për domosdonë e kultivimit të raporteve të mira fqinjësore mes dy vendeve, përcjell KlanM.
“Theksova se Aleanca për Shqiptarët, njëjtë siç e ka përkrahur propozimin francez dhe kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, do të pëkrahë edhe ndryshimet kushtetuese për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe se krahas kësaj, do të shtyjmë përpara reforma të thella në drejtësi për të luftuar murtajën e korrupsionit. Potencova lidhjet historike miqësore midis kombeve dhe vendeve tona, si dhe vullnetin e Aleancës për Shqiptarët për zgjerimin dhe thellimin e tyre. Në këtë rrafsh, shpreha përkrahjen tonë të parezervë për kompletimin e lidhjeve infrastrukturore përgjatë korridorit VIII, nga Durrësi deri në Varna, ku Maqedonia e Veriut është një urë lidhëse midis Bullgarisë dhe Shqipërisë”, thuhet të ketë thën Taravari në takim./KlanMacedonia.