May 5, 2024
Maqedoni

(VIDEO) Zaev bëhet pishman, e tërheq dorëheqjen e paralajmëruar

(VIDEO) Zaev bëhet pishman, e tërheq dorëheqjen e paralajmëruar
Kryeministri Zoran Zaev u bë pishman. Ai tani nuk do të japë dorëheqje ashtu siç kishte paralajmëruar nga posti i kryeministrit si dhe nga posti i kryetarit të LSDM-së. Pas mbledhjes së mbrëmshme të Komiteti Ekzekutiv dhe të atij Qendror të LSDM-së, Zaev për gazetarët deklaroi se do të ngelet në këto poste edhe më tej që të ndihmojë të stabilizohet shumica parlamentare dhe me mundësi të rritet.

Zoran Zaev, kryeministër

“Sinqerisht pres që shumica demokratike parlamentare të stabilizohet, mbi të gjitha të jetë e orientuar drejt rrugës euroatlantike, shoqërisë tonë multietnike, ruajtjes së marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe asaj që është e orientuar drejt reformave pozitive në vend. Prandaj janë këto përpjekje. Edhe njëherë theksoj, në mbrëmjen e datës 31, kur njoftova dorëheqjet nga të dyja funksionet, thashë se mbetem në periudhën e ardhshme që t’i përkushtohem për të ndihmuar ruajtjen e shumicës parlamentare”.

Kryetari i LSDM-së dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në paraqitjen e parë publike pas mbylljes së vendvotimeve më 31 tetor, rezultatet e LSDM i vlerësoi si një humbje të madhe, prandaj deklaroi se jep dorëheqje si kryeministër i vendit dhe si kryetar i partisë.

Zoran Zaev, kryeministër
“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet”.

Në zgjedhjet lokale, në dyja raundet e zgjedhjeve VMRO-DPMNE mori gjithsej 42 komuna, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, ndërsa LSDM nga të dy raundet e zgjedhjeve mori gjithsej 16 kryetarë komunash. Emine Ismaili /SHENJA/