May 14, 2024
Maqedoni

Taravari: Sot fillojmë zyrtarisht bisedimet për përfshirjen tonë në Qeveri

“Sot fillojmë zyrtarisht bisedimet për përfshirjen tonë në Qeveri”, deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ai ka arritur në Qeveri i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Krenar Lloga dhe nënkryetari Elmi Aziri, ku do të takohen me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Paraprakisht Kovaçevski tha se do të diskutojnë për ardhmërinë evropiane të vendit. Kovaçevski gjithashtu njoftoi edhe për mbledhjen e sontme të organeve qendrore të LSDM-së ku do të debatohet për çështjet aktuale në shtet.

“Sot kam takim me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Taravarin, këtë takim e kam konfirmuar që dje, e ka konfirmuar dhe z. Taravari. Në këtë takim do të flasim për përcaktimet programore dhe politike për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen, kjo gjithsesi se ka të bëjë integrimet evropiane të shtetit, sundimin e së drejtës, lufta kundër korrupsionit, rritja e efikasitetit të kuvendit, sjellja e vendimeve që nënkuptojnë përballje më të lehtë me krizën ekonomike dhe energjetike dhe miratimi i ligjeve reformuese që do të përmirësojnë funksionimin e shtetit. LSM-ja gjithashtu ka seanca të rregullta në organet e saja qendrore, një mbledhje e këtillë do të mbahet dhe sot në të cilën do të debatohet për të gjitha çështjet aktuale në shtet”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.