May 18, 2024
Maqedoni

Taravari premton reformimin e tërësishëm të gjyqësorit dhe anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023

Gjatë shpalosjes së programit të tij presidencial, Arben Taravari, u shpreh se shtylla e tretë e tij është shteti i së drejtës.
Taravari tha armiku më i madh është sistemi gjyqësor i korruptuar dhe mban peng vendin dhe po e largon rininë dhe se vetëm 2% e qytetarëve besojnë në sistemin e drejtësisë.

“Si President i ardhshëm, zotohem se do t’i kërkoj Kuvendit sjelljen e një pakoje legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Kjo pako duhet të përmbajë ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, reformimin e sistemit për zgjedhjen, avancimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik, si dhe digjitalizimin e plotë të gjykatave, do të shtyj përpara idenë e themelimit të Komisionit për Standardet në Jetën Publike, bazuar në përvojën e Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi Arben Taravari.

Ai premtoi se do të angazhohet për anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, që sipas tij ishin anti evropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit.

“Si president i Republikës, zotohem se nuk do të dekretoj shpalljen e ligjeve laksiste që e largojnë edhe më tej vendin nga normat evropiane siç ka ndodhur në të kaluarën”, u shpreh kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.