Maqedoni

Taravari: Po i ndjekim me shqetësim zhvillimet në Veriun e Kosovës

Dënojmë përshkallëzimin e dhunës dhe veprimet destabilizuese e luftënxitëse të bandave të kontrolluara nga Presidenti serb, Vuçiç, të drejtuara kundër Eulex-it dhe Policisë së Kosovës, thuhet në reagimin e u.d. kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
“Kërkojmë mobilizim të mëtejmë nga partnerët ndërkombëtarë për arritjen, sipas afateve të planit evropian për normaliziminin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e një marrëveshje ligjshmërisht të detyrueshme, me njohjen e ndërsjellë në qendër”, thuhet në reagim.

Sipas Taravarit, bandat kriminale nën kontrollin e Presidentit serb Vuçiç po shkaktojnë dhunë me synim të mbjelljes së ndjenjës së pasigurisë dhe të frikësimit.
“Përkrahim plotësisht përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të NATO-s për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit.
Presim nga partnerët ndërkombëtarë të dënojnë politikën anti evropiane të Presidentit Vuçiç, i cili përveç se po vazhdon të minojë sanskionet e BE-së kundër Rusisë në lidhje me agresionin ndaj Ukrainës, po cenon paqen dhe sigurinë rajonale në kohën kur tërë kapitali politik i vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor është i fokusuar në ridinamizimin e zgjerimit të BE-së. Politika serbe “edhe me Moskën edhe me Brukselin” në rrethanat aktuale do të thotë “me Moskën kundër Brukselit”. Thirrjet nga Parlamenti Evropian për pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe ngrirje të transfereve evropiane drejt Beogradit janë një hap në drejtimin e duhur”, theksohet në reagimin e Taravarit.