Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në komunën e Vrapçishtit, ku kandidati i AKI-së, Isen Shabani, fitoi me 88.13% të votave – përqindja më e lartë në gjithë republikën deri tani informon Tetovasot.

Taravari theksoi se kjo është një fitore e pastër dhe bindëse, por që është tentuar të zbehet përmes manipulimeve me censusin.

Sipas tij, “në mungesë të një mënyre të ndershme për garë të barabartë, kundërshtarët nga VMRO-VLEN janë kujtuar për ‘manovrimin me censusin’, ashtu si në Gostivar”.

Ai denoncoi se listat e votuesve janë shtuar në mënyrë të dyshimtë, duke përfshirë edhe “persona që figurojnë të vdekur”, gjë që e bëri të pamundur arritjen e censusit.

“Imagjinoni, në Vrapçisht ku Iseni fitoi në mënyrë absolute, ata e pamundësuan censusin për 1800 vota! Edhe sikur t’i jepnin të gjitha këto vota kundërshtarit, raporti do të ishte 3 me 1 në favor të Isenit,” – shkruan Taravari.

Ai shton se “fenomeni i censusit” që sipas tij po përdoret për të mbajtur peng fitoret në Gostivar dhe Vrapçisht, do të hyjë në histori si strategjia më e dëshpëruar e një pushteti që përdor mekanizma artificialë për të frenuar vullnetin qytetar.

“Kjo sjellje vetëm sa i bën fitoret e Valbon Limanit dhe Isen Shabanit edhe më domethënëse në këto zgjedhje. Ne po fitojmë edhe pse kishim kundër gjithë shtetin,” – thekson Taravari, duke paralajmëruar se në raundin e dytë, ku nuk ka më census, Isen Shabani do të konfirmojë fitoren e tij përfundimtare.

sqShqip